Aktualitet Aksident në Tomorr, humb jetën babai i tre fëmijëve

Aksident në Tomorr, humb jetën babai i tre fëmijëve

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Malin e Tomorrit, pikërisht në zonën e shpatit të malit, ku ndodhen edhe karrierat e gurit dekorativ.

Shoferi i një prej firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ ka humbur kontrollin e mjetit dhe është rrëzuar me kamionin që ishte i ngarkuar me pllaka guri.

Si pasojë e aksidentit, 36-vjeçari Besnik Sali Kanani, ka humbur jetën. Viktima 36-vjeç Besnik Kanani jetonte në fshatin Fushë-Peshtan të Poliçanit dhe ishte babai i 3 fëmijëve.

Ai punonte prej vitesh si shofer kamioni në firmat e nxjerrjes dhe përpunimit të pllakave e gurit dekorativ në Malin e Tomorrit.

Edhe pse prej gati një vitit Ministria e Mjedisit ka revokuar të gjitha licencat dhe ka pezulluar punën e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në Malin e Tomorrit, firmat vijojnë sërish punën, pa u shqetësuar aspak dhe duke mos përfillur ligjin.

Burimet mes punëtorëve të këtyre firmave konfirmojnë se, në Malin e Tomorrit puna nuk është ndërprerë asnjëherë dhe se vazhdon të nxirren pllaka guri, duke rrafshuar qafën e malit, në fshatrat: Dërvi, Novaj e Nishovë.