Aktualitet Aksident tragjik në Fushë-Prezë, vdesin 4 të rinj. Makina u përplas me...

Aksident tragjik në Fushë-Prezë, vdesin 4 të rinj. Makina u përplas me betonieren dhe shpërtheu në flakë

Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth mesnatës në Fushë-Prezë ku për pasojë kanë humbur jetën 4 të rinj; Enejdi Laçi 25 vjeç, Erildi Laçi 20 vjeç, Enrikejd Kurti 24 vjeç dhe Andi Laçi 22 vjeç.

Enejdi Laçi, Erildi Laçi janë vëllezër, ndërsa Andi Laçi ka lidhje fisnore me ta.

Makina që drejtohej nga 25-vjeçari Enejdi Laçi është përplasur me betonieren dhe si pasojë e përplasjes ka shpërthyer në flakë.

Në pamundësi për të dalë nga makina asnjë nga të rinjtë nuk ka mundur t’i mbijetojë flakëve.

Njoftimi i policisë:

Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në Fushë-Prezë, nga shërbimi i qarkullimit rrugor është konstatuar një automjet i cili kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një automjet betoniere.

Nga hetimet e kryera me qëllim zbardhjen e ngjarjes rezultoi se automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 25 vjeç dhe dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga shtetasi A. K., 24 vjeç, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Si pasojë e përplasjes dhe përfshirjes së automjetit nga flakët kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit E. L., 25 vjeç dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij E. L., 20 vjeç, E. K., 24 vjeç dhe A. L., 22 vjeç.

Në vijim të veprimeve u shoqërua për veprime të mëtejshme drejtuesi i automjetit betoniere shtetasi A. K, 24 vjeç.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes.