Kryesore Aksidenti masiv në Tiranë, shefi i trafikut urban: Shoferi i autobusit është...

Aksidenti masiv në Tiranë, shefi i trafikut urban: Shoferi i autobusit është arrestuar

Shefi i trafikut urban në Tiranë, Taulant Gjoka, tha se shoferi i autobusit të Unazës që u përfshi paraditen e kësaj të hëne në aksidentin masiv, është arrestuar. Ai është Agron Xhafa, 63 vjeç.

“E kemi versionin, për ne është shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesi i autobusit, i cili është arrestuar nga policia. Është vendosur masa e arrestit në kushtet e flagrancës për drejtuesin e autobusit. Pra aktualisht që flasim, ai është i dyshuar si shkaktar i aksidentit rrugor. Dhe ka dyshime të arsyeshme për shkelje që janë të dukshme. Pastaj, hipotezat se shkelja e rregullave ka ardhur si pasojë e patologjisë fizike që ai pretendon, apo amnezës mjekësore për të cilën ne nuk kemi dijeni, apo si rezultat i një gabimi tjetër…”, tha Gjoka në “Opinion”.

10 automjete u përfshinë në një aksident të pazakontë paraditen e kësaj në Tiranë. Për shkaqe ende të paqarta, shoferi i linjës së autobusit doli nga korsia e tij, duke marrë para disa automjete. Vetë shoferi është shprehur se nuk ka qenë i vetëdijshëm dhe se nuk e mban mend sesi ka ndodhur ngjarja.