Bota Aksidenti tragjik në Bullgari, dyshohet se shkak është bërë nafta kontrabandë

Aksidenti tragjik në Bullgari, dyshohet se shkak është bërë nafta kontrabandë

Detaje të reja janë mësuar rreth aksidentit të ndodhur një ditë më parë në Bullgari, ku humbën 45 pasagjerë, shumica e tyre shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

Media bullgare “24 orë”, duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor që po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, raporton se shkak i aksidentit mund të jetë transporti i naftës kontrabandë.

Kjo media shton se nga hetuesit është thënë se në autobus ka pasur karburant shtesë. Kjo dyshohet se është bërë shkak për shpërthimin e menjëhershëm të flakëve pas përplasjes së autobusit.

Deri tani, mendohet se nafta shtesë po transportohej me qëllime përfitimi, pasi ishte blerë në Turqi me çmim me të lirë me një diferencë rreth 50 Lekë për një litër.

Po ashtu raportohet se përplasja fatale ka ndodhur vetëm 15 minuta pasi shoferi kishte ndaluar autobusin për një pushim në një pikë karburanti.

Aksidenti tragjik ndodhi të martën dhe 45 persona humbën jetën, mes tyre 12 fëmijë. Vetëm 7 persona arritën të dilnin në kohë nga autobusi që kthehej nga Stambolli për në Shkup.