Aktualitet Aksion pastrimi në Kashar, Task Forcë e DPPGJ evadon tonelata inertesh

Aksion pastrimi në Kashar, Task Forcë e DPPGJ evadon tonelata inertesh

Prej një jave Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit, Bashkia Tiranë ka nisur një aksion të gjerë pastrim-evadimi në Kashar. Puna është fokusuar në disa pika kryesore, ku edhe janë grumbulluar sasi të mëdha ndotje me inerte, dhera dhe mbetje të hedhura pa kriter, si nga ana e qytetarëve ashtu dhe nga biznese apo subjekte ndërtimi.

Ndotja në Kashar ishte kthyer në një shqetësim të madh për banorët e zonës, ankesës së të cilëve, ekipi ynë në terren iu përgjigj në kohë rekord. Përgjatë një jave të plotë, puna ka qenë intensive duke u mobilizuar me kapacitetet e nevojshme, si në forcë punëtore ashtu dhe me fadromat, që bën të mundur heqjen e inerteve të grumbulluara.

Krahas aksionit të pastrimit, ekipi ynë u angazhua edhe në sistemmin e hapësirës së gjelbër në rrugën kryesore për në Kashar duke kositur ferrat dhe bimët e egra, që ishin bërë pengesë për kalimin e rrugës, nga këmbësorët dhe nga drejtuesit e mjeteve. DPPGJ thekson se aksioni në Kashar është dëshmi, se puna e Drejtorisë është përqëndruar jo vetëm në qendër dhe në rrugët kryesore të qytetit, por grafiku i punëve të përditshme shtrihet edhe në periferi të Tiranës, duke iu shërbyer në këtë mënyrë banorëve të kryeqytetit me të njëjtin standard.

“Shprehim angazhimin tonë se do iu përgjigjemi në mënyrë të menjëhershme, të gjitha shqetësimeve dhe ankesave të raportuara nga qytetarët, si sa i përket pastrimit ashtu dhe gjelbërimit të Tiranës. Ne jemi këtu për t’i shërbyer qytetarëve dhe për t’i dhënë Tiranës imazhin që meriton. Ne këtë drejtim kemi iniciuar shumë projekte dhe nisma të cilat po i konkretizojmë ditë pas dite. “Pylli Orbital, Dervish Luzha”, lulishtja te “Vëllezërit Frashëri” etj., po kthehen jo vetem në lulishte identifikuese për qytetin, por dhe në hapësira çlodhëse për qytetarët, ku gjejnë veten si të rriturit ashtu edhe më të vegjëlit”, u shpreh Arlinda Binjaku, drejtoreshë e DPPGJ, Bashkia Tiranë. Evadimi i inerteve po vijon në Kashar, ndërkohë që plani do të shtrihet edhe në zona të tjera periferike për të pastruar çdo pikë ndotje, që është kthyer në problematikë për banorët.