Bota Aktivistët e Hong Kong-ut nuk pranojnë nënshtetësinë angleze: Ne duhet të luftojmë,...

Aktivistët e Hong Kong-ut nuk pranojnë nënshtetësinë angleze: Ne duhet të luftojmë, jo të largohemi

Menjëherë pasi Pekini miratoi ligin e ri për sigurinë kombëtare, demokracia dhe siguria e qytetarëve në Hong Kong u vu në rrezik.

Për shkak të kësaj, kryeministri anglez Boris Johnson ofroi nënshtetësinë angleze për tre milionë banorë, por ata vendosën për të mos kërkuar azil politik.

Aktivisti Joshua Wong ndan të njëjtin mendim, duke mos preferuar të largohet nga Hong Kongu.

Ai mendon se kryeministri Johnson duhet vetëm të vendosë sanksione të ashpra kundra Kinës.

“Unë nuk kam plan të largohem, Hong Kong-u është qyteti im. Ne duhet të ngrihemi dhe të luftojmë”, tha Wong kur u pyet nëse do të kërkonte azil në Britani.

Ai u shpreh se qytetarët e Hong Kongut e mirëpritën ofertën e Johnson për nënshtetësinë angleze, duke shtuar se mirë do të ishte që Britania ta detyronte Kinën për t’u tërhequr nga ligji i ri për sigurinë kombëtare dhe që mund të ndalonte ndasitë politike në ish-koloninë britanike.

“Unë i bëj thirrje qeverisë angleze të vendosë sanksione të nevojshme ose masa kufizuese në mënyrë që të nxisë tërheqjen e ligjit”, tha Wong.

“Garancia për ndihmë dhe një plan rezervë për Hong Kongun është diçka e mirë. Por gjithçka çfarë ne dimë deri më tani është se skenari më i mirë do të jetë që Pekini të ndalojë zbatimin e këtij ligji të diskutueshëm”.

Ligji i ri do të nënshtrojë Hong Kong-un, i cili ka si qëllim parësor ruajtjen e lirive të tij politike që nga koha e shkëputjes nga Britania.

Ambasada kineze në Londër reagoi në lidhje me ofertën e Johnson, duke theksuar se Britania e Madhe është treguar e njëanshme, pasi mbajtësit e pasaportave të BNO që janë shtetas kinezë dhe që banojnë në Hong Kong, s’do të kenë të drejtën e qëndrimit në Britani.

“Nëse Britania e Madhe është e vendosur për të qenë e njëanshme, atëherë ajo do të shkelë ligjet ndërkombëtar dhe normat themelore që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Kina miratoi një ligj të sigurisë kombëtare për Hong Kongun, i cili, sipas kritikëve, do të minojë të drejtat e njeriut në rajonin gjysmë-autonom.

Ligji u miratua nga Komiteti i Përhershëm Kombëtar i Kongresit Popullor të Kinës, që është organi më i lartë ligjvënës në këtë vend.

Ai është kritikuar nga qeveritë perëndimore dhe ka qenë në qendër të protestave pro demokracisë të muajve të fundit në Hong Kong.

“Ligji shënon fundin e Hong Kongut që bota e njihte më parë”, shkroi në Twitter aktivisti pro demokracisë në Hong Kong, Joshua Wong.

Pekini ka hartuar ligjin në përgjigje të protestave pro demokracisë të vitit të kaluar në Hong Kong, duke thënë se ai është i nevojshëm për kthimin e stabilitetit në këtë vend.

Legjislacioni kriminalizon ndarjen, përmbysjen e pushtetit shtetëror dhe bashkëpunimin me forcat e huaja.

Autoritetet e Pekinit dhe Hong Kongut thonë se legjislacioni shënjestron disa “shkaktarë të telasheve” dhe se nuk do të ndikojë në të drejtat dhe liritë e njeriut dhe as në interesat e investitorëve.

Hong Kongu, qysh në vitin 1997, është pjesë e Kinës në bazë të organizimit “një shtet, dy sisteme”.

Ai ka disa të drejta që nuk i gëzon pjesa tjetër e territorit kinez, por protestuesit ankohen se ato po kufizohen gjithnjë e më shumë nga regjimi në Pekin.