Aktualitet Akuzat e opozitës për dy patentat e Tahirit, reagon Policia

Akuzat e opozitës për dy patentat e Tahirit, reagon Policia

Pas akuzave për fshehje të së vërtetës për kapjen e biznesmenit në Elbasan me 800 mijë euro cash dhe 2 patenta të ish-ministrit të Brendshëm ka ardhur edhe reagimi zyrtar nga uniformat blu.

Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për akuzat politike dhe i quan ato pa asnjë bazë ligjore apo faktike, mbi ndalimin e shtetasit O. S.

“Policia e Shtetit rithekson se ka kryer detyrën dhe respektuar procedurën ligjore pikë për pikë.

Pretendimet e opozitës janë spekulime politike dhe s’kanë asnjë lidhje me të vërtetën e punës së bërë nga Policia e Shtetit.

Policia e Shtetit ka ndaluar në flagrancë autorin, ka mbajtur të plotë procesverbalin në vendngjarje dhe i ka përcjellë menjëherë Prokurorisë dosjen e plotë të rastit për arrestin në flagrancë”, deklaron Policia.

Më tej Policia e Shtetit i siguron të gjithë qytetarët se ajo ka bërë detyrën, po bën detyrën dhe do të bëjë detyrën e saj, pa asnjë ndikim politik në luftën me krimin e organizuar, krimin ekonomik e çdo lloj tjetër kriminaliteti.

Pas përmbylljes me sukses të plotë të luftës për çrrënjosjen e kanabisit nga territori i vendit, Policia e Shtetit ka hyrë në fazën e dytë të kësaj lufte, e cila do të përshkallëzohet javë pas jave.

Edhe arrestimi sot i një rrjeti trafikantësh në Tiranë e tregon qartë vullnetin e Policisë së Shtetit, për të goditur rrjetet dhe elementet kriminale që janë përfshirë në trafiqe, si edhe sekuestruar asetet financiare të përfituara nga aktiviteti kriminal”, thuhet në reagimin e policisë.