Kryesore Akuzat për ish-zyrtarin e FBI-së, Rama: E kam takuar McGonigal, por hetimi...

Akuzat për ish-zyrtarin e FBI-së, Rama: E kam takuar McGonigal, por hetimi ka zero lidhje me mua apo qeverinë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se është takuar me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, McGonigal, i cili është nën akuzë në SHBA, por ky hetim, sipas Ramës, nuk ka lidhje me të.

Duke folur për gazetarët pas takimit me drejtuesit e qarqeve të PS, Kryeministri Edi Rama u shpreh se takimi që ka patur me zyrtarin e lartë të FBI-së nuk e prek atë në raport me hetimin që po bëhet ndaj McGonigal në Shtetet e Bashkuara.

“Kjo është një çështje e hetuar nga drejtësia amerikane e cila nuk nxjerr vendime për vrasje pa autorë apo për vrasje nga pakujdesia apo kur vrasjet bëhen nga dritaret e institucioneve shtetërore. Në rastin konkret ka zero akuzë dhe zero lidhje mes çështjes që diskutohet dhe meje apo qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Zero.

Këto janë derivate të keqleximit të këtushëm. Përmendja e emrit si pjesë në një takim nuk ka asnjë lidhje me përfundimet që ka nxjerrë hetimi në SHBA. Pra në SHBA është bërë hetim dhe janë nxjerrë përfundime. Takove një zyrtar të lartë të FBI, po e takova. Takova një zyrtar të lartë të FBI, po e takova, por kjo nuk përbën asnjë arsye për të nxjerrë konkluzione të reja duke parë nga Tirana me dylbitë e politikës së çorodhepsjes së njerëzve dhe të zhurmës për zhurmë, aq më tepër në kushtet kur jemi përpara një fakti të ri dhe tronditës për 21 Janarin dhe kërkesës së ministrit të Drejtësisë dhe PS për të hapur hetimin në Prokurorinë e Posaçme. Dhe kush do të kuptoj e kupton. Sepse unë nuk mund të komentoj asgjë. Të komentoj mbi komente është e kotë. Unë dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë lidhje me përfundimin e hetimit për një çështje dytësore të dalë rrugës, ndërkohë që çështja kryesore është çështje krejt tjetër.

Përfundimet e hetimit dhe fillimi i fazës tjetër të procesit ku hetuesit amerikanë kanë dorëzuar dosjen e hetimit të tyre nuk ka asgjë nga këto që thoni ju. Absolutisht asnjë konkluzion. Përmendjet lexojini mirë sepse aty nuk përmendet absolutisht një gjë e tillë. Aty thuhet që çfarë njëri dhe çfarë thotë tjetri. Hetuesit thonë që hetimet kanë përfunduar, ka një të akuzuar për mosdeklarim dhe konflikt interesi në raport me shokun e tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja të cilin unë e kam njohur në takimin me të dhe me të cilin nuk kam pasur asnjë lloj lidhje tjetër përveç këtij raporti miqësor dhe këtyre shkëmbimeve krejtësisht pa asnjë interes tjetër me zyrtarin e lartë të FBI-së. Fola për z.Agron i cili e përsëris vjen nga lëvizja demokratike, shumë i afër i të ndjerit Azem Hajdari, fis me Besnik Mustafajn, njerëz të nderuar padiskutim, të cilin nuk e kam njohur më parë asnjëherë, me të cilin nuk kam shkëmbyer as letra, as interesa, por e kam takuar vetëm në praninë e zyrtarit të lartë të FBI-së. Përsa i përket personit tjetër, ka qenë zv/ministër i Energjetikës në koalicionin e vitit 2013 dhe pastaj për një farë kohe ka punuar pranë meje pa pagesë.

Pse opozita e përdor një hetim në Shtetet e Bashkuara kundër nesh apo kundër meje, unë jam mësuar me këto. Jam mbingopur me të tilla historira që synojnë vetëm çorollepsjen e njerëzve dhe krijimin e një klime agresiviteti, ndasie, gjysmë të vërtetash që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha dhe më mirë të shpenzoj më shumë kohë nga koha që i kam dhënë nxjerrjes së përditshme të këtyre gurëve që hidhen në lumë dhe pastaj hajde t’i nxjerrim, t’i shpjegojmë, t’i sqarojmë për të bërë më shumë punë për njerëzit, natyrisht pa shkëputur komunikimin nuk diskutohet. Jam shumë i fokusuar tek punët e përditshme konkrete se sa te komunikim sepse realisht është një klimë bigbrotheri politik dhe mediatik ku askush s’pyet për asgjë, të gjithë i gjëmojnë lajmeve sensacionale pa marrë parasysh janë të vërteta a të pavërteta, i gjëmojnë ‘likeve’, ‘shareve’, nuk kam asnjë ankesë për të tjerët”, u shpreh Rama.