Aktualitet Akuzohen se lanë skafistët të iknin, 5 efektivët e Rojës Bregdetare priten...

Akuzohen se lanë skafistët të iknin, 5 efektivët e Rojës Bregdetare priten me brohorima në sallën e gjyqit

Pesë efektivët e Rojës Bregdetare në Vlorë, të arrestuar një ditë më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës janë pritur me brohorima dhe mesazhe inkurajuese nga familjarët e tyre teksa dolën para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. “Jeni heronj, keni shpëtuar jetë njerëzish”, dëgjohet t’u drejtohet të arrestuarve një familjar i tyre.

“Çfarë shpërdorimi detyre kam bërë unë? Se Shpëtova jetë njerëzish? Këta janë heronj. Ky (kolegu) u hodh në det për të shpëtuar fëmijët…”, tha njëri prej të akuzuarve për kamerat. “Në 9 janar 2004 vdiqën 28 veta vdiqën… Ne e bëmë detyrën”.

Ndalimi i tyre ka lidhje me ngjarjen e 8 janarit të këtij viti kur Roja Bregdetare Shqiptare shpëtoi me dhjetëra sirianë, të cilët ishin imbarkuar në një gomone me qëllimit trafikimin e tyre drejt Italisë.

Nga hetimet e kryera dhe kryesisht dëshmitë e klandestinëve, dyshohet se 5 efektivët e Rojës Bregdetare të arrestuar së fundmi, kanë lejuar qëllimisht largimin e drejtuesit të gomones.

Nga dosja hetimore rezulton se efektivët e Rojes Bregdetare gjatë operacionit të shpëtimit, pasi kanë marrë në anije drejtuesin e gomones së bashku me klandestinët, kanë lejuar hedhjen e tij në det, përpara se të mbërrinte policia. Ky veprim është lejuar prej tyre kundrejt një shpërblimi të konsiderueshëm. Në atë operacion, u ndaluan 47 sirianë, 7 iranianë dhe 1 shtetas egjiptian.