Bota Akuzohet për racizëm, Trudeau kërkon ndjesë për foton turpëruese

Akuzohet për racizëm, Trudeau kërkon ndjesë për foton turpëruese

Një foto e dy dekadave më parë vë në pozitë të vështirë kryeministrin kanadez Justin Trudeau. Fotoja e publikuar nga revista Time, tregon kryeministrin popullor të Kanadasë, me fytyrën e lyer me ngjyrë kafe, gjatë një feste me kostume në vitin 2001.

Trudeau kërkoi ndjesë për imazhin që mund të minojë mundësinë e rizgjedhjes së tij, më pak se 5 javë para se kanadezët t’u drejtohen qendrave të votimit.

“Në vitin 2001, kur isha mësues në Vancouver, mora pjesë në një gala, ku tema ishte “mbrëmjet arabe”. U vesha si Aladini dhe vura make up në fytyrë. Nuk duhej ta kisha bërë, më vjen vërtet keq”, deklaroi kryeministri kanadez.

Fotografia e skandalit

Fotoja është turpëruese për udhëheqësin kanadez, i cili i ka vënë politikat progresive në krye të axhendës së tij. Ai është shprehur në favor të emigracionit dhe ka punuar fort për të fituar mbështetjen e votuesve nga minoritetet etnike.

Praktika e lyerjes së fytyrës me ngjyrë kafe dhe të zezë, për t’u dukur si dikush me ngjyrë tjetër lëkure, në shekujt e kaluar përdorej për të tallur afro-amerikanët dhe bart stereotipe fyese dhe raciste.

Rivalët politikë nuk humbën rastin për ta sulmuar kryeministrin. “U trondita dhe u zhgënjeva shumë kur mësova për rastin. Të lyesh fytyrën me ngjyrë kafe është një veprim i hapur talljeje dhe racizmi”, deklaroi lideri i Partisë Konservatore Adrew Scheer.

Ndërkohë Jagmeet Singh, lideri i demokratëve të rinj shtoi se “ky imazh do të sjellë në mend kujtime të hidhura për shumë njerëz. E di që do të kujtoni momentet kur ju tallnin, fyenin, apo ju bënin të ndiheshit si pavlerë”.

Edhe Këshilli Kombëtarë i kanadezëve myslimanë dënoi imazhin, duke e cilësuar atë si të papranueshëm. Megjithatë, “njerëzit mund të ndryshojnë dhe evoluojnë përgjatë dy dekadave”, thuhej në një deklaratë.