Sport Al-Khelaifi i “dashuruar” me Ronaldon: Është i jashtëzakonshëm

Al-Khelaifi i “dashuruar” me Ronaldon: Është i jashtëzakonshëm

Nëse kjo nuk mund të konsiderohet si një deklaratë dashurie, atëherë mungon vërtetë pak që diçka e tillë të ndodhë. Presidenti i Paris Saint Germain Nasser Al-Khelaifi është i çmendur pas Cristiano Ronaldos dhe nuk përdor shumë fjalë për të vlerësuar ylli portugezin dhe për t’i dërguar një mesazh të fortë dhe të qartë vetë CR7-ës.

“Vit pas viti, Cristiano Ronaldo po tregon një vendosmëri unike, një forcë të jashtëzakonshme karakteri“, deklaron presidenti i PSG për France Football. Më tej Khelaifi shton: “Qëndron gjithmonë i motivuar dhe ka dëshirën për t’u përmirësuar ditë pas dite, duke nxjerrë nga vetja edhe më shumë se limitet e tij. E admiroj këtë forcë vullneti të pabesueshme. Ronaldo është një shembull i madh për të gjithë sportistët e të ardhmes. Bujaria e tij jashtë fushe nuk njihet nga të gjithë dhe për këtë më vjen keq”, nënvizoi numri 1 i kampionëve të Francës.

Fjalë këto që me siguri kanë përfunduar në veshin e Cristiano Ronaldos duke bërë që në media të shtohen zërat për një transferim të mundshëm të yllit luzitan te Paris Saint Germain. CR7 ka kontratë me Juventusin deri në verën e vitit 2022, por nuk mund të përjashtohet kurrsesi mundësia e largimit të tij nga bardhezinjtë në merkaton e kësaj vere, për të provuar një eksperiencë të re në një tjetër kampionat sidomos nëse Ronaldo fiton Champiosin në këtë edicion me skuadrën e Sarrit.

Ronaldo ritakohet me Juven pas 72 ditësh

Ndërkohë, Juventusi takohet përsëri me Cristiano Ronaldon. Kampioni portugez u kthye në “Continassa” pas një mungese 72-ditore. 14 ditët e tij të fundit, në të vërtetë, janë shpenzuar në izolim, në vilën e tij në Torino, ku u karantinua sipas rregullave, direkt pas kthimit nga Madeira. Këtë mëngjes, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” kaloi portat e qendrës sportive të Juventusit në bordin e “Jeep Grand Cherokee” të tij.

Sulmuesi do t’iu nënshtrohet sot disa provave fizike, ndërsa ka bërë edhe tampnonin. Ai rifilloi punën në fushë, nën shikimin e vëmendshëm të Maurizio Sarri, i cili ka drejtuar stërvitjet e lojtarëve bardhezinj në grupe të vogla, që nga dita e djeshme. Portugezi do të kryejë stërvitje individuale si fillim, pastaj në grupe të vogla. Mbi gjithçka, tek ai ekziston dëshira e madhe për t’iu rikthyer edhe ndeshjeve me Juventusin.