Alban Ramosaj e deklaroi të mbyllur kapitullin në muzikë. Përmes një rrëfimi në Instagram, ai u ndal te vështirësitë artistike dhe kreative që sollën këtë vendim të vështirë.
“Një letër për publikun tim të dashur të ‘Koloseut’,” e nis ai shkrimin. “Gjatë jetës sime, kam jetuar me filozofinë e pëqafimit dhe ndjekjes se ëndrrave dhe aspiratave të fëmijes së brendshëm. Autenticiteti që artistët, veçanërisht muzikantët sjellin ne veprat e tyre, gjithmonë ka rezonuar thellë me mua. Megjithatë, kam kuptuar që pak nga pak, kam kompromentuar thelbin e asaj që përshkruan unin tim artistik.”
Në vijim të letrës, Albani ndalet te sfida e shprehjes autentike artistike dhe ndikimet e jashtme që kanë ndërhyrë te hapësira e tij kreative.
“Së fundmi, jam ndeshur shpesh me sfidën e shprehjes autentike artistike. Ndikimet e jashtme kanë pushtuar ngadalë, hap pas hapi hapësirën time kreative, kështu, duke fryrë fort mbi flakën e qiriut që njëherë më dha motiv. Ajo që nisi si një ënderr, një pasion i palodhur, ajo që më shoqëronte nga agimi deri në perëndim, ndjej që pas gati 10 vitesh, është duke u zbehur. Fusha e betejës në të cilën gjendem, ka lënë fëmijën tim të brendshëm të plagosur dhe të ndjeshëm, i gjakosur shtrirë në krahët e mi, duke parë drejt syve te mi, duke përshpëritur, ‘Të lutem, mund të vazhdoj ende, mund t’ia dal’.”
Ramosaj thekson se nuk dëshiron të humbasë kohë duke “luftuar” në “ambiente të drejta dhe të pafavorshme”.
“Për publikun tim te dashur të “koloseut,” nëse do më njihnit personalisht, ndoshta do të thonit “Tipike Albanesque,” për mbylljen e këtij kapitull me një prekje dramatike. Por ju më njihni – unë lulëzoj në botën e dramës, pasi gjej një bukuri të caktuar poetike në të,” shton më tej.
“Derisa të takohemi sërish, faleminderit dhe lamtumirë,” e mbyll letrën këngëtari.
Artisti nuk e bëri të qartë nëse kjo shkëputje është e përkohshme si edhe nuk përmendi se çfarë do të jetë në fokusin e tij të ardhshëm. Më vonë, theksoi në Instagram se këngët dhe videoklipet nuk do të fshihen.
I lindur në Holandë dhe i rritur në Tiranë, Albani e nisi karrierën përmes pjesëmarrjes në konkurse muzikore si “X Factor Albania” (2012) dhe “The Voice of Albania” (2013). Në këtë të fundit, Ramosaj shkoi deri në gjysmëfinale. Në “Kënga Magjike” u nominua për çmimin “Kantautori më i mirë” në vitin 2016, ndërsa në vitin 2021 u shpall fitues me këngën “Thikat e mia”.