Aktualitet Albana Fico: Shqipëria ka njohur kurbë të butë të COVID-19

Albana Fico: Shqipëria ka njohur kurbë të butë të COVID-19

Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico gjatë një interviste për “Ilva Now” në Euronews Albania, ka deklaruar se kurba e indeksit të zhvillimit të epidemisë në Shqipëri është një kurbë e butë.

“Numri i të shtruarve në spital dhe numri i rasteve pozitive, ka një burim ushqimi dhe ky është infeksioni. Ajo që kemi kuptuar deri tani është se kurba e infeksionit, zhvillimi i epidemisë është një kurbë e butë dhe kjo logjikisht të çon se dhe burimi i infeksionit të jetë i kësaj përmase”, deklaroi znj. Fico.

Ajo shtoi, se, tashmë po punohet për kryerjen e testimeve të shpejta për të kuptuar se sa është shkalla e infektimit në popullatë. Këtu kreu i ISHP-së iu referua shembujve të Italisë dhe SHBA-së që kanë nisur kryerjen e rapid test, e cila nxjerr rezultatin brenda 5-6 minutash.

“SHBA dhe Italia po testojnë aktualisht ata që janë hite në mënyrë që të validojnë dhe të shkojnë më gjerë për të kuptuar infeksionin e popullit. Ka një seri kitesh, janë rapid test, ngjajnë ato testet e shtatzënisë dhe për 5-6 minuta merret përgjigje. Ky test po shikohet me kujdes”, deklaroi znj. Fico.

Lidhur me debatin në vend dhe kërkesën e opozitës për të kryer sa më shumë teste, drejtorja e ISHP-së deklaroi se, vendimet merren të argumentuara por nuk mungojnë kitet e testeve.

“Ky debat vijon në të gjitha nivelet në Amerikë, Angli, etj. Ajo që është vendosur duke u nisur nga Komiteti Teknik bazuar mbi rekomandimet e OBSH, kishte për kryerjen e një testi që bëhet në ISHP. Gjatë kësaj periudhe, ky testim ka qenë i vlefshëm deri sa jemi duke folur. Askush që i është dashur apo që duhej të bënte testin nuk i ka munguar. Nuk mund të ndryshojmë gjëra me qejfra dhe të pa argumentuara”, nënvizoi ajo.

“Sa i përket çështjeve të sëmundjeve infektive autoritet shëndetësore kanë përgjegjësi për të pasur prioritete. Të gjitha rastet e dyshuara duhet të testohen, ata që kanë simptoma. Të gjithë të tjerët që nuk kanë shenja duhet të jenë të mirë informuar.”

Për masat lehtësuese që qeveria ka paralajmëruar javën e ardhshme, znj. Fico deklaroi se, “një gjë shumë e rëndësishme është se duhet të vlerësohet risku i grupit që do të përfitojnë nga ky lehtësim”.

Sa i takon pritshmërive se, me rritjen e temperaturave koronavirusi mund të humbasë forcën, kreu i ISHP-së tha se kjo lidhet me shtresën yndyrore që mbështjellë atë.