Bota Albanese zgjidhet kryeministri i ri i Australisë. Kush është “Albo” dhe origjina...

Albanese zgjidhet kryeministri i ri i Australisë. Kush është “Albo” dhe origjina arbëreshe

Anthony Albanese

Anthony Albanese do të bëhet kryeministri i parë i Australisë me një prejardhje jo anglo-kelte.

Albanese do të formojë qeverinë e parë laburiste në pothuajse një dekadë, duke mposhtur Scott Morrison në zgjedhjet e mbajtura sot.

Partia Socialdemokrate do të jetë në gjendje të formojë një qeveri të pakicës, por gjithashtu mund të marrë vota të mjaftueshme për një qeveri të shumicës.

Sipas rezultateve paraprake, partia mund të fitojë të paktën 71 vende në Senat, nga 76 për të arritur shumicën. Sipas të dhënave, koalicioni konservator nën drejtimin e kryeministrit Scott Morrison ka fituar vetëm 49 vende.

Kush është Albanese?

Albanese ka fituar një reputacion si një mbrojtës i sistemit të kujdesit shëndetësor falas të Australisë, një republikan dhe një tifoz i pasionuar i ligës së regbit.

59-vjeçari me nofkën “Albo” është rritur në banesat sociale nga një nënë beqare me pension invaliditeti. Ai shpesh e ka përmendur edukimin e tij si bazë për besimet e tij përparimtare.

“Albo” besonte se babai i tij kishte vdekur para se ai të lindte, por si adoleshent mësoi se nëna e tij kishte mbetur shtatzënë nga një burrë i martuar – i cili me shumë mundësi ishte ende gjallë – ndërsa udhëtonte në Evropë.

Tri dekada më vonë, gjeti babain, Carlo Albanese, duke fluturuar për në Itali për t takuar atë dhe gjysmëvëllezërit e tij.

Sakaq, Albanese ka bërë me dije se nëna e tij, Maryanne Ellery, ishte e vendosur se ai të kishte mundësitë që ajo kurrë nuk i kishte. Me mbështetjen e saj, u bë i pari në familjen e tij që mbaroi shkollën dhe shkoi në universitet.

Ai ka thënë se krijimi i një bote më të mirë për djalin e tij, Nathan, është frymëzimi pas jetës së tij publike.

Albanese u nda nga gruaja e tij pas 19 vitesh në vitin 2019, por në gjurmët e fushatës i bashkohet edhe partnerja Jodie Haydon.

Deputet për 25 vjet

Aktiv në Partinë Laburiste që në moshë të re, Albanese punoi si në politikën federale, ashtu edhe në atë shtetërore përpara se të zgjidhej, në ditëlindjen e tij të 33-të, në një vend në qytetin e Sydney-it në vitin 1996.

Por do të kalonte një dekadë para se të shijonte qeverisjen.

Në vitin 2007, kur laburistët erdhën në pushtet nën Kevin Rudd, Albanese u bë ministër për Infrastrukturën dhe Transportin.

Ai mbeti një figurë me ndikim pasi partia hyri në një periudhë të trazuar pasi zëvendësoi Rudd-in me Julia Gillard në 2010-ën.

Kur Rudd rifitoi kryeministrinë në vitin 2013, mbështetja e Albanese e bëri atë të lartësohej në zëvendëskryeministër. Ai e mbajti postin vetëm për dhjetë javë, sepse laburistët humbën zgjedhjet.

Albanese më pas u paraqit si lider i Laburistëve.

Pavarësisht se ishte i popullarizuar në mesin e anëtarëve të partisë, rivali Bill Shorten pati më shumë mbështetje midis deputetëve dhe u bë lider i opozitës.

Pasi Shorten konkurroi pa sukses në dy zgjedhje, Albanese u zgjodh si lider i partisë në 2019-ën.

Albanese ka qenë zëri kryesor i fraksionit të majtë të Partisë së Punës, por që kur u bë lider, ai u pozicionua drejt qendrës.

Ai u ka qëndruar besnik rrënjëve të tij të punës, duke premtuar se do të shpenzojë shumë për të përmirësuar sektorin e trazuar të kujdesit për të moshuarit në vend, për të rigjallëruar industrinë e tij prodhuese, për të ofruar kujdes më të lirë për fëmijët dhe për të përmirësuar barazinë e pagave gjinore.

A ka Albanese prejardhje shqiptare?

Anthony Albanese është i biri i Carlo Abanese-s nga Barletta e Italisë dhe Maryanne Ellery, australiane me prejardhje irlandeze.

Qyteza Barleta shtrihet në jug të Italisë, në rajonin Apulia. Në Apulia jeton një komunitet i madh i arbëreshëve. Besohet se atje jetojnë rreth 100.000 arbëreshë dhe se nga ky komunitet e ka prejardhjen edhe babai i politikanit australian.

Një shenjë e fuqishme për prejardhje arbëreshe është mbiemri “Albanese”, që nga italishtja në gjuhën shqipe do të thotë “shqiptar”.

Arbëreshët janë pasardhës të shqiptarëve, të cilët u larguan nga trojet e veta në Ballkan dhe janë vendosur në pjesët jugore të Italisë në Epokën e Mesjetës, pas pushtimit osman.