Kosova Albin ​Kurti pas takimit me Vjosa Osmanin: Zgjedhjet duhet të mbahen sa...

Albin ​Kurti pas takimit me Vjosa Osmanin: Zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt

Pas takimit me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se nuk kanë diskutuar për një datë konkrete për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por shtoi se kjo gjë duhet të përcaktohet pa humbur kohë.

“Ne nuk kemi folur për një datë konkrete, vetëm kemi shprehur interesimin tonë që të jetë sa më e hershme data e zgjedhjeve në harkun e caktuar kohor, por që varet nga dita se kur vjen aktgjykimi i plotë nga Gjykata Kushtetuese”, tha ai.

Ai tha se popullit të Kosovës i duhet një qeveri legjitime për të nxjerrë vendin nga kriza e shumëfishtë.

“Pra, neve na duhet që ta marrim njëherë aktgjykimin e plotë Gjykatës Kushtetuese dhe varet nga data kur vjen ai aktgjykim i plotë si palë që jemi në këtë çështje, e cila tashmë është zgjidhur, por nuk e ka përgjigjen e plotë që të jetë aktgjykim i plotfuqishëm dhe pas kësaj do të mund të shpallet data e zgjedhjeve, nga u.d e presidentes në një hark të caktuar kohor siç e parasheh Kushtetuta mirëpo në atë hark kohor në datën e cila është sa më herët e mundshme jemi të interesuar që të mbajnë zgjedhjet e reja të parakohshme në Republikën e Kosovës meqenëse kemi humbur kohë dhe na nevojitet të ecim sa më shpejtë që duke u kthyer te populli si burim i sovranitetit, të restaurojmë legjitimitetin e institucioneve dhe të kemi qeveri të re e kompetente, e cila e nxjerrë Kosovën nga kriza e shumëfishtë”, tha Kurti.