Bota Albin Kurti: Bashkimi i shqiptarëve sjell stabilitet afatgjatë në Ballkan

Albin Kurti: Bashkimi i shqiptarëve sjell stabilitet afatgjatë në Ballkan

Edhe pas më shumë se dy dekadave nga lufta në Kosovë, kryetari i VV-së thotë se vendi nuk ka sovranitet të plotë, integritet të plotë territorial, njohje ndërkombëtare dhe stabilitet të vërtetë në Ballkan. Sipas Albin Kurtit, kjo arrihet nga qeveritë e pakorruptuara të cilat vejnë interesin e përgjithshëm, para çdo interesi tjetër.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se Skënderbeu në Krujë, Ismail Qemali në Vlorë, e Adem Jashari ne Prekaz janë tri ngjarje historike që kanë të përbashkët 28 nëntorin. Ai bashkë me deputetë e përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë homazhe tek varrezat në Prekaz, në shënimin e kësaj date, që sipas tij është gurthemel i identitetit kombëtar shqiptar. Kurti theksoi se 59 anëtarët e familjes Jashari, u flijuan në një luftë të pabarabartë, qe ja dha hovin vendimtar çlirimit të Kosovës.

“Ngjarje, personalitete, veprimtarë të kombit në periudha të ndryshme në beteja politike dhe ushtarake në paqe, okupim, në luftë, lëvizje legale dhe ilegale qe të gjithë këta e kanë 28 nëntorin diell të tyre. Dhe kështu do të mbetet përherë për shqiptarët kudo që janë. Ne si brez qe sot rrojmë por edhe ata të cilët do të vijnë pas nesh e ende nuk kanë lindur. Në homazhet e sotme këtu në Prekazin historik, ishim me Shqipen, por pa Rexhën. Me Shqipen, bashkëshorten dhe bashkëluftëtarin e Rexhep Selimit, i cili gjithashtu me 28 nëntor të vitit 1997 bëri shpalljen publike të UÇK-së me dy bashkëluftëtarët e tij Mujë Krasniqin, kapiten kapuçin dhe gjithashtu bashkëluftëtarin tjetër Daut Haradinajn”, tha Kurti.

Kryetari i LVV-së, tha se padrejtësia ndaj tyre nuk do t’i dobësojë, dhe se do t’i tejkalojnë këto vështirësi. Kurti tha se Kosova ende nuk ka sovranitet dhe integritet të plotë territorial.

“Ne duam të theksojmë atë që nuk është përmbushur ende, e kjo është sovraniteti i plotë i Kosovës, integriteti i plot territorial, njohja e plot ndërkombëtare dhe afrimi, integrimi, e bashkimi i shqiptarëve që pikërisht do ta arrinte stabilitetin e vërtetë dhe afatgjatë në Ballkan. Në Ballkan, në këtë rajon ende të pa integruar në Bashkimin Evropian ka tensione dhe nuk ka stabilitet sepse paqja gjithmonë është mbajtur në kurriz të shqiptarëve, të cilët kanë paguar çmimin më të madh edhe ne luftë edhe në paqe. Ne duhet të përparojmë jo për inate të të tjerëve, por për hir të vetës tonë. Veçse kjo realizohet nëpërmjet qeverive të ndershme të pakorruptuara qe vënë interesin e përgjithshëm, para çdo interesi tjetër. Dhe e kuptojnë që çfarë do ndihme nga jashtë nga partner apo aleat duhet të paraprihet nga vetë respekti, vetëbesimi dhe puna jonë këtu brenda”, ka deklaruar Kurti.

28 nëntori shënon pavarësinë e Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit e legjendarit Adem Jashari. Sa herë vjen ky muaj, Kosova kujton edhe daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor ta vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt.