Kosova Albin Kurti e konfirmon: Do të padisim Serbinë për gjenocid në Gjykatën...

Albin Kurti e konfirmon: Do të padisim Serbinë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar pasditen e kësaj të premteje se do të ngrejë padi kundër Serbisë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Ne me ministren e Drejtësisë dhe ekipin e saj dhe me këshilltarët e mi kemi filluar punë për përgatitej e padisë për gjenocidin e Serbinë në Kosovë për periudhën e luftës së fundit dhe me këtë rast me siguri, që do të njoftojmë se kur do t’i kemi të qartë afatet e këtyre përgatitjeje, që janë përgatitje sepse një raste i tillë as nuk guxon, as nuk mundet dhe as nuk duhet të humbet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND)”, tha Kurti.

Shefi i qeverisë së Kosovës shprehu bindjen e tij se Serbia ka kryer krime lufte dhe gjenocid ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Pra, përgatitjet duhet të jenë tejet të mëdha në shumë aspekte, e përveç tjerash lidhen edhe për Institutin për Hulumtimin e Krimeve gjatë Luftës, them kështu sepse nuk janë vetëm krime lufte, janë edhe krime kundër njerëzimit dhe krimi i gjenocidit. Ne jemi të bindur se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë tek ne dhe kjo e meriton një padi. Qeveria e Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarët që e kanë plagën e hapur, e që besa edhe dhe ndaj ardhmërisë tonë, që kërkon një shtet të drejtë në të cilin dihet qartë se kush është agresori dhe kush është viktima”, theksoi ai.

Ai theksoi se para se të nisë takimet me palën serbe në kuadër të dialogut, duhet të ketë dialog të brendshëm me partitë opozitare.

“Temat e diskutimit mund të vijnë në shprehje vetëm kur të pajtohen dy palët. S’ka tema që janë të vetëm njërës palë. Kemi gjëra të tjera para se të arrijmë aty. E para, është diskutimi i brendshëm me opozitë edhe një lloj radiografie e gjendjes së dialogut në raport me Serbinë, përkatësisht me procesin e deritashëm dhe marrëveshjet e arritura”, u shpreh Kurti gjatë një konference për mediat pas mbledhjes së qeverisë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e njohur gjithashtu si edhe Gjykata e Botës është një nga gjashtë organet kryesore të Kombeve të Bashkuara.

Ky organ zgjidh mosmarrëveshjet mes shteteve në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe jep opinion këshillues për çështje ndërkombëtare të karakterit ligjor.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është e vetmja gjykatë ndërkombëtare që rregullon mosmarrëveshjet e përgjithshme mes vendeve. Vendimet dhe opinionet e saj shërbejnë si burim kryesor për ligjin ndërkombëtar.

Në opinionin shqipfolës ajo njihet ndryshe dhe si Gjykata e Hagës dhe është i vetmi organ i OKB-së që ndodhet jashtë SHBA-së (Nju Jorkut).

Në rast të ngritjes së padisë për gjenocid, kjo nuk do të jetë hera e parë që Kosova dhe Serbia përballen në këtë gjykatë. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kërkoi opinion nga Gjykata e Hagës për shpalljen e pavarësisë nga Kosova më 17 shkurt 2008.

Vendimi i gjykatës që njihet si Rezoluta 1244, u votua 10 me 4 dhe u dha më 22 korrik 2010, ku shpallja e pavarësisë nga Kosova konsiderohej se nuk shkelte asnjë ligj ndërkombëtar pasi asnjë ligj ndërkombëtar nuk e ndalon këtë gjë.