Kosova Albin Kurti flet si Kryeministër: Më pak pushtet e më shumë shtet

Albin Kurti flet si Kryeministër: Më pak pushtet e më shumë shtet

Pasi janë numëruar rreth 95.88 të votave, Lëvizja Vetëvendosje vijon të jetë në avantazh të lehtë me 25,79% të votave, menjëherë pas saj renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 25.05% të preferencave. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 21,15% ndërsa koalicioni AAK-PSD, 11,63%.

Albin Kurti, në orët e vona, të mbrëmjes së djeshme shpalli fitoren në zgjedhjet e parakohshme dhe veten si kryeministrin e ri të vendit. Ai deklaroi se tani fillon një epokë e re për Kosovën. Kurti siguroi simpatizantët e tij që ishin për të mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë se nuk do të bashkëpunojnë me PDK për të krijuar qeverinë dhe se dora e tij do të mbetet e shtrirë për LDK.

Sipas tij, populli duke e votuar Vetëvendosjen ka votuar kundër kapjes së shtetit. E ka quajtur 6 tetorin si entuziazmin e tretë në Kosovë.

“6 tetori i vitit 2019 e shënon fillimin e entuziazmit të tretë në vendin tonë e për popullin tonë. Entuziazmi i parë ishte ai i çlirimit të vitit 1999, i dyti ishte ai i shpalljes së pavarësisë më 2008 e tash tetori 2019 është entuziazmi i tretë. Është vala e re që do ta forcojë republikën tonë e do t’i japë hov zhvillimit e barazisë për të gjithë juve. Ju sot keni votuar për ta shpëtuar shtetin tonë nga kapja e që s’lejuan që drama e kapjes të ketë fund tragjik. Hapim kapitull të ri me faqe të bardhë e zemër të ngrohtë. Në qeverisjen tonë, s’ka hajna. Hajnat do të luftohen, hetohen, gjykohen e dënohen kudo që janë”, ka thënë ai në festën e VV-së në shesh.

Ai ka thënë Kosova ka humbur shumë në 20 vjet, ndërsa tani “erdhi dita”.

“Jeta e ndershme do të jetë e kollajshme, jeta e kriminelëve do të jetë e vështirë deri në humbje të lirisë. Ne kemi humbur shumë kohë në këto 20 vjet. Sa mundësitë ishin të shpërdoruara. Sa shanset e shkuara huq, por tash erdhi dita për ju qytetarë të Kosovës. erdhi dita për ju popull i dashur pa dallim a jeni nga fshati a qyteti, burrë a grua, të gjithë jeni të barabartë para ligjit e do të fitoni shansin të jetoni ndershëm e me meritë nga puna juaj. S’do të ketë njerëz që pasurohen as brenda natës as brenda javës. Premtimet tona do t’i përmbushim. Zotimet tona do t’i përmbushim sepse do t’u shërbejnë juve”, ka shtuar ai.