Kosova Albin Kurti: Haradinaj mund të formojë qeverinë me dy kryeqytete

Albin Kurti: Haradinaj mund të formojë qeverinë me dy kryeqytete

I nominuari për kryeministër të Kosovës nga radhët e Vetëvendosje, Albin Kurti i ftuar në “Arena” nga Dritan Hila në Ora News tha se sipas Kushtetutës, është Ramush Haradinaj ai që duhet të përgatitet për të sajuar siç e tha ai qeverinë e re. Sipas Kurtit, Haradinaj duhet të sigurojë edhe 10 votat e deputetëve serbë, 9 prej të cilëve janë të kontrolluar nga Beogradi.

Pjesë nga deklarata:

Kurti: Zgjedhjet në Kosovë ishin më interesante se këtu në Shqipëri. Në Shqipëri diskutohej më shumë për humbësit se sa kush do të fitojë. Ndërkaq në Kosovë ishte më ndryshe. Në çastet e fundit u krijuan koalicione, që unë mendoj se u krijuan nga paniku ndaj rritjes së Vetëvendosjes. PDK që ishte partia më e madhe përfundoi me 23 deputetë dhe kjo është pika më e ulët në histori. Këto zgjedhje na kanë bërë partinë më të madhe në Republikë.

Hila: Politika me gaz lotsjellës u shpërblye….

Kurti: Populli na dha të drejtë. Unë besoj se ka një faktor shtesë që e kemi dyfishuar votën tonë. Kjo është puna shumëvjeçare sistematike. Nuk kemi mbjellë tranguj që piqen për tre muaj, por ullinj. Fitorja jonë është e qytetarëve. Nga njëra anë qytetarët teksa kuptojnë të gjejnë pakënaqësinë e tyre gjejnë Vetëvendosjen. Politika i ka shumë borxhe popullit dhe na votuan ne.

Kushtetuta i jep të drejtën koalicionit, që do të thotë pas seancës konstituive do të ketë të drejtën zotëri Haradinaj të provojë të krijojë shumicën për të sajuar qeverinë e re.

Hila: Do t’ia dalë zt.Haradinaj?

Kurti: Nuk e di! Ata kanë 39 deputetë. Do të duhet të marrin edhe 10 deputetët e pakicave jo serbe, 10 deputetët e partive serbe, 9 prej të cilëve kontrollohen drejtpërdrejt nga Beogradi dhe të marrësh këta, do të thotë t’u japësh atyre. Nëse sigurojnë deputetët e pakicave ju nevojitet edhe dy të tjerë që ta bëjnë numrin.

Ajo qeveri do të ishte tejet e brishtë dhe do të kishte kryeqytet edhe Prishtinën edhe Beogradin. Bie fjala kemi ligjin për sigurimet. Duhet të pyetet lista serbe dhe më tutje duhet të pyetet Beogradi. Ne e kuptojmë që serbët duhet të jenë deputetë aty, mirëpo është absurde që në shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh të varesh nga deputetët e listës serbe.