Politika Albin Kurti insiston për mbajtjen e zgjedhjeve të reja

Albin Kurti insiston për mbajtjen e zgjedhjeve të reja

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Me një shënim në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, kryeministri në detyrë ka përjashtuar pretendimet se në Kosovë është krijuar një ngërç institucional.

Ai thotë se ky pretendim nuk është i vërtetë, ndërsa shton se sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës situata e krijuar mund të tejkalohet vetëm përmes zgjedhjeve të reja.

“Ngërçi institucional shfaqet vetëm kur përjashton zgjedhjet. Sot u bënë dy muaj nga mocioni i mosbesimit. Më 25 mars krizës shëndetësore iu pat shtuar edhe ajo politike. Mirëpo, ne po ia dalim. Dje ishte dita e parë, që nga 13 marsi, pa të infektuar me virusin Corona. Ngërç institucional? Nuk është e vërtetë. Mospajtime ka, por edhe zgjidhje ka. Në përputhje me Kushtetutën tonë nevojiten zgjedhje të reja. Ato tashmë po mbahen anembanë Evropës. Pas shëndetit të popullsisë dhe ekonomisë, është në pyetje edhe shëndeti i demokracisë. Zgjedhje do të ketë në qershor në Islandë, Francë dhe Serbi, kurse në korrik në Maqedoninë e Veriut, Spanjë dhe Kroaci. Duhet të kemi zgjedhje edhe në Kosovë e aso lokale në Podujevë. Madje, mundet edhe njëkohësisht”, shkruan Kurti.

Pas shqyrtimit të pretendimeve ligjore të palëve, Gjykata Kushtetuese në Kosovë pritet të dalë me një qëndrim publik më 29 maj mbi ligjshmërinë ose jo të dekretit të Presidentit Thaçi për mandatarin e qeverisë së re.