Kosova Albin Kurti, LDK-së: Sillni emrat për qeverinë, ja ministrat nga LVV

Albin Kurti, LDK-së: Sillni emrat për qeverinë, ja ministrat nga LVV

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka bërë publik emrat e ministrave nga radhët e partisë së tij për qeverinë e re të Kosovës.

Në një video-mesazh përpara takimit me Presidentin Hashim Thaçi për të marrë mandatin si Kryeministër, Kurti i ka bërë ftesë LDK-së së Isa Mustafës që t’i dërgojë emrat e ministrave të tjerë të kabinetit që do të plotësohen prej tyre, si dhe të zv/Kryeministrit të parë.

Ajo që bie në sy është Ministria e Brendshme, të cilën Albin Kurti duket se ia ka lënë LDK-së.

“I bëj thirrje udhëheqësve të LDK-së që sa më parë të m’i dërgojë emrat e pesë ministrave të saj, dhe të zv/Kryeministrit apo zv/Kryeministres së parë nga radhët e saj. Nga Lëvizja Vetëvendosje unë si Kryeministër i qeverisë së re kam përzgjedhur për zv/Kryeministër të dytë të qeverisë Haki Abazi, për ministre të Drejtësisë Albulena Haxhiu, për ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë Profesor Blerim Reka, për ministër të Financave dhe Transfereve Profesor Besnik Bislimi, për ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë Rozeta Hajdari, dhe për ministër të Shëndetësisë dhe Sportit Arben Vitia. Unë zotohem se menjëherë pasi të kem ata gjashtë emra, do ta sjell emrin e ministrit nga pakicat joserbe dhe atë të pakicës serbe, por dhe emrat e së paku 10 zv/ministrave të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ndër të tjera Albin Kurti.