Kosova Albin Kurti: Minishengeni Ballkanik është Jugosllavia e katërt

Albin Kurti: Minishengeni Ballkanik është Jugosllavia e katërt

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti këmbëngul se me Serbinë duhet të zbatohet parimi i reciprocitetit, i cili do të zëvendësojë taksën.

“Unë kam treguar vullnet për heqjen e tarifës 100 për qind dhe kjo të bëhet posa të vendoset parimi i reciprocitetit. Nuk besoj se ka nevojë edhe taksë edhe reciprocitet. Parimin e Reciprocitetit do të elaborojmë. Trumpi kishte deklaruar se reciprociteti është fjala ime e favorshme”, tha Kurti në një intervistë për KTV.

Kurti ka ftuar presidentin Hashim Thaçi të bashkëpunojnë për të unifikuar qëndrimet në lidhje me dialogun me Serbinë.

“Të jetë një takim kur ne i shtrojmë këto gjëra, sepse nuk mund të lejojmë që shteti i Kosovës që sulmohet aq shumë, të ketë zëra të ndryshëm. Meqenëse nuk u takuam deri tash i bëj ftesë presidentit që të takohemi për t’u dakorduar për të gjitha proceset ndërkombëtare. Fundja edhe një letër e Trumpit drejtuar presidentit Thaçi kërkon zë të unifikuar”, tha Kurti.

Minishengeni Ballkanik, Jugosllavia e katërt

Shefi i qeverisë së Kosovës ka deklaruar se Minishengeni Ballkanik është qëllimi i Serbisë për Jugosllavinë e katërt, e sipas tij ajo ide paraqet probleme.

“Më duhet të jem i sinqertë se Minishengeni Ballkanik nuk është realitet, më shumë është ide se sa projekt. Minishengeni ballkanik ka rreziqet e veta, kam thënë se ai paraqet Jugosllavinë e katërt, të cilën Serbia e do, kjo është intenca e Beogradit. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi ka rreziqe përtej atyre buzëqeshjeve. Intencat e Serbisë që po i shohim sërish në Mal të Zi, janë evidente”, tha Kurti.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të marrë pjesë në takimin e radhës të Minishengenit Ballkanik, por me pak gjasa dhe një vendim i tillë do të bëhej me një vendim të kabinetit të tij qeveritar.

“Duhet ta diskutojmë në Qeverinë e Kosovës për çdo gjë. Duhet të presim dokumentacionin e kësaj ideje dhe jam që të zhvillojmë disa kontakte paraprake para se të ulemi në një takim të katërt. Apriori nuk është e mençur të them se nuk e pranoj, por nuk do të thotë se kam ndryshuar radikalisht. Nuk kemi parë shumë nga këto tri takime. Nëse ma mbush mendjen dhe qeverisë së Kosovës natyrisht se po, por jo pa një trajtim të vëmendshëm të asaj se çfarë kanë bërë”, ka thënë ai.

Procesi i Berlinit

Sipas tij gjithçka do të kthehet te Procesi i Berlinit.

“Që nga qershori i vitit 2017 kemi dhënë qëndrimin tonë se Procesi i Berlinit, ndonëse edhe ai ka rreziqet e veta, është ajo ku duhet të marrim pjesë pasi Kosova është e barabartë me të tjerët, dhe besoj se aty duhet të marrim pjesë. Nuk duhet të shkojmë në tryeza ndërkombëtare pa një bashkërendim kombëtar. E këtë e kam diskutuar me krerët në Shqipëri”, ka thënë Kurti.

Makroshengeni shqiptar

Sipas tij Makroshengeni shqiptar mund të zbatohet shumë shpejt.

“Makroshengeni shqiptar nënkupton një liberalizim të gjithanshëm shqiptar. Minishengeni ballkanik është një ide që nuk është zbatuar, derisa ai shqiptar mund të zbatohet shumë shpejt. Iniciativat e tilla nuk kanë t’ia mbajnë pa u kthyer te Procesi i Berlinit”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, takimi i Ramës do të je jetë një fillim i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.