Kryesore Albin Kurti: Në Kosovë e Shqipëri duhet të përgatitemi për një pranverë...

Albin Kurti: Në Kosovë e Shqipëri duhet të përgatitemi për një pranverë shqiptare

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti bën thirrje për një “pranverë shqiptare”.

“Në Kosovë e Shqipëri duhet të përgatitemi për një pranverë shqiptare meqenëse në kushtet kur ekonomikisht jemi të dobët dhe ushtritë janë inekzistente është e domosdoshme që populli shqiptar të rishfaqet dhe demokratizojë veten në mbrojtje të interesit të tij shtetëror“, u shpreh Kurti në një prononcim për median pas bisedës që pati me studentët në fakultetin e Shkencave Sociale.

Kurti ishte sot paradite në Fakultetin e Shkencave Sociale në mbështetje të studentëve protestues.

“Fitoret edhe në politikë edhe në shoqëri vijnë nga qëndresa. Është e vërtetë që në aspektin e angazhimit tim politik kam filluar me protesta studentore. Në vitet ’90 në Kosovë ndodheshim në okupimin e Serbisë, e cila kishte hequr nga puna të gjithë shqiptarët. Universiteti i Prishtinës zhvillonte mësimet në shtëpi private, por në 1997 filluam protestat. Studentët kanë të drejtë, pothuajse çdo herë dhe çdo kund, por edhe kur mësimdhënësit janë me ata kanë më shumë të drejtë”, tha ai gjatë takimit me studentët protestues.

Ai, si për t’ju imponuar lidership studentëve e pedagogëve te Shkencat Sociale, u tha se ai, forca që drejton, do ofrojë arsim falas nëse vjen në pushtet.

“Me qeverisjen e Vetëvendosjes nesër në Kosovë arsimi publik do të jetë falas. nuk mund të lejojmë që fëmijët dhe të rinjtë të kenë perspektivë të errët për shkak se nuk kishin mundësi në fillim të jetës së tyre”, deklaroi Albin Kurti.