Bota Albin Kurti: Nuk ndihem i rrezikuar

Albin Kurti: Nuk ndihem i rrezikuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se nuk ndjehet i rrezikuar, pasi që një natë më parë ai u shoqërua me masa shtesë të sigurisë pas njoftimeve për një kërcënim ndaj tij.

“Së pari nuk ndjehem i rrezikuar, mirëpo janë organet e sigurisë ato që i vlerësojnë kërcënimet dhe i ndërmarrin veprimet në përputhje me rrethanat e caktuara. Unë as dje as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time“, tha kryeministri Kurti.

Të mërkurën mbrëma zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri Kurti është kërcënuar dhe për këtë arsye, “si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre. Ato bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse”, tha ai, por pa dhënë më shumë hollësi rreth natyrës së kërcënimit.

Policia nuk komentoi zhvillimet ndërsa mediet vendase thanë se kërcënimi është bërë në rrjetet sociale nga një llogari e paqartë në të cilën “është premtuar një shumë parash” për siç thuhet, “vrasjen e kryeministrit Kurti”.