Kosova Albin Kurti: Shërbim i detyrueshëm ushtarak në Kosovë

Albin Kurti: Shërbim i detyrueshëm ushtarak në Kosovë

Kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti prezantoi këtë të hënë programin, ku theksoi se sfida kryesore do të jetë “lufta kudër korrupsionit”.

Gjatë fjalës në Parlament ku prezantoi platformën e qeverisë, Kurti theksoi se në Kosovë do të bëhet i detyrueshëm shërbimi ushtarak.

Kreu i Vetëvendosjes vuri theksin edhe tek krimet e luftës të kryera nga serbët në Kosovë, për të cilat tha se këto krime do të dënohen. Për të bërë të mundur dokumentimin e tyre, do të themelohet Instituti për Krimet e Luftës.

“Me qeverinë tonë, shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm. Ky shërbim do të jetë në kohëzgjatje 3-mujore dhe do ndihmojë FSK-në të përmbushë detyrat dhe rolin shtesë në fushën e mbrojtjes. Do të jemi qeveri që do të bëjë dënimin e krimeve të luftës, dhe do të miratohet ligji për krimet e luftës. Do të themelojmë Institutin për Krimet e Luftës, i cili mbështet prokurorinë në dokumentimin e krimeve të luftës”, theksoi ndër të tjera Albin Kurtin.