Bota Albin Kurti shkarkon këshilltarin e tij për deklaratat kundër UÇK-së

Albin Kurti shkarkon këshilltarin e tij për deklaratat kundër UÇK-së

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shkarkuar sot këshilltarin e tij, Shkëlzen Gashi. Kjo erdhi pas reagimit të madh publik ndaj deklaratës së Gashit se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime dhe kanë vrarë rreth 1 mijë civilë serbë në Kosovë.

“Sot e kam takuar dhe më pas e kam liruar nga detyra këshilltarin tim politik, z. Shkëlzen Gashi”, ka shkruar Kurti.

Ai nuk ka komentuar deklaratën e tij, por ka thënë se deklarata e tij e djeshme pati pasoja shpërqendruese në punën e mirë të qeverisë në detyrë.

“Konsideroj që është më mirë që debatin në të cilin është përfshirë ai të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit tim”, ka thënë Kurti.

Më tej, ai ka thënë se e çmon mendimin kritik të Gashit, por se ka gjëra që pajtohen në të tashmen, por ka edhe të atilla që nuk pajtohen nga e kaluara.

“Z. Gashi nuk është një bashkëbisedues i lehtë. Nga kjo vështirësi kam mësuar”, përfundon Kurti.

Të premten në një televizion në Kosovë, Gashi kishte deklaruar se Dick Marty nuk është anti-shqiptar dhe se sipas tij, krimet ndaj civilëve serbë i kanë kryer këto krime kanë qenë në pozita udhëheqëse të UÇK-së.

“Dick Marty nuk është antishqiptar, përkundrazi. Dick Marty e ka publikur një raport, ku flitet për krimet që pjesëtarët e UÇK-së i kanë kryer ndaj civilëve të pafajshëm. Dyshohet sepse njerëzit janë të vrarë, i kemi gati 1 mijë civilë serbë të vrarë nga pjesëtarë të UÇK-së. Për fat të keq, shumicën prej tyre të cilët janë të implikuar në këto krime, kanë qenë në pozita udhëheqëse, si anëtarë zonash, ose anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, kishte thënë Gashi.

Raporti prej 60 faqesh i senatorit zviceran, Dick Marty, i miratuar në 2011-ën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pretendon që figura të larta të UÇK-së kanë kryer krime, përfshirë këtu edhe trafikim organesh.

Por, në një tjetër studio televizive, ministri i jashtëm Glauk Konjufca, ka thënë se jo që nuk pajtohet me këshilltarin e Kryeministrit dhe se të tillë nuk do të kishin vend ne kabinetin e tij, po se Dick Marty do të duhej të dalë para drejtësisë për raportin e tij që i bëri shumë dëme Kosovës.

Ai ka thënë që ky raport ishte iniciuar nga Rusia.

“Kur kam hyrë në arkivat e Këshillit të Evropës që çfarë kam gjetur ka qenë shumë e çuditshme dhe e neveritshme. Në arkiv të Këshillit të Evropës e kam gjetur mocionin, i cili është dorëzuar në Komitetin Juridik të Këshillit të Evropës dy javë pas publikimit të librit të Carla Del Pontes. Mocionin e kishte dorëzuar Konstantin Kosaqev i cili ka qenë udhëheqësi i deputetëve në Këshillin e Evropës të delegacionit rus dhe kryetari i tyre është Konstantin Kosaqev”, ka thënë Konjufca.

Sipas Konjufcës, ky mocion rus ishte dorëzuar në vitin 2008, ndërsa dy vite më vonë të njëjtën temë e merr Dick Marty dhe e kthen në raport me titullin e njëjtë të mocionit rus ‘trafikimi i organeve në Kosovë dhe trajtim çnjerëzor’.

Gjithashtu, siç shpjegon ministri i Jashtëm, ishte prokurori Klint Williamson në krye të Task-Forcës së krijuar për të hetuar krimet e pretenduara të Dick Martyt që pas ardhjes në Kosovë dhe hetimit mbi pretendimet e raportit e ka vënë Martyn para përgjegjësisë penale.

“Ai [Williamson] nuk e ka thënë, por kjo na takon ne si shtet. Pse? Klint Willimason ka thënë që pjesa e parë e raportit te Dick Martyt është gënjeshtër”, ka thënë Konjufca.

Ai në fund thotë që raporti i Dick Martyt ka njollosur për vite me radhë Kosovën dhe i njëjti duhet të ndiqet penalisht.

Veç tjerave, shkarkimin e Shkëlzen Gashit e kanë kërkuar edhe figura tjera të Vetëvendosjes. Gashi ishte njëri ndër themeluesit e Vetëvendosjes, por më pas ishte larguar dhe më 20 mars u kthye si këshilltar politik i Kryeministrit Kurti.

Deklaratat e këshilltarit të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, u bënë lajm në shumicën e mediave në Serbi, me tituj si: “Shqiptarët pranojnë krimet e UÇK-së të kryera ndaj civilëve serbë”.