Politika Albin Kurti: Vjosa Osmanin e shoh si ministre të Jashtme ose si...

Albin Kurti: Vjosa Osmanin e shoh si ministre të Jashtme ose si kryetare Kuvendi

Albin Kurti nuk e përjashton mundësinë që në një të ardhme, postin e Presidentit të Kosovës ta marrë Isa Mustafa, megjithatë ai thotë se momentalisht prioritet është formimi i kabinetit qeveritar. Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, në emisionin “Opinion”, Kurti u shpreh besimplotë se qeverisja me Vjosa Osmanin do të jetë e mirë. I pyetur për vizionin e tij, sa i takon postit që mund të mbajë në qeverinë e re zonja Osmani, kreu i LVV tha se qoftë Ministren e Punëve të Jashtme, qoftë Kryeparlamentaren, ajo do ta bënte shumë mirë.

Blendi Fevziu: A do të bënit ju një marrëveshje me LDK, për shembull që duke marrë Kryeministrin t’i lëshonit zotit Mustafa, në të ardhmen, brenda afatit që nevojitet, postin e Presidentit të ardhshëm të Republikës së Kosovës?

Albin Kurti: Nuk e përjashtoj mundësinë që mund ta diskutojmë këtë gjë në të ardhmen. Por edhe njëherë po theksoj që tani për tani kemi një prioritet tjetër, është formimi sa më parë i kabinetit qeveritar.

Blendi Fevziu: Nëse unë ju pyes, edhe pse është shumë e parakohshme, që ku do ta shihnit ju personalisht zonjën Osmani në qeverinë tuaj, çfarë përgjigje do më jepnit?

Albin Kurti: Unë besoj që tani i takon zonjës Osmani që ta flasë. Ajo ka dashur që të bëhet Kryeministre e Republikës së Kosovës, tani duhet ta shohim se cili është plani B. Unë nuk e di cili është plani B, por do ta diskutojmë nesër këtë gjë.

Blendi Fevziu: Ky është plani i saj, por në fakt cili është vizioni juaj?

Albin Kurti: Unë kam pasur bashkëpunim shumë të mirë me zonjën Osmani çdo herë, si kolegë deputetë që kemi qenë. Edhe në legjislaturën e 4, edhe të 5 edhe të 6, besoj që edhe do të qeverisim mirë bashkë. Ajo ka qenë kryetare e Komisionit për Punët e Jashtme, Komisionit Parlamentar në mandatin që shkoi.

Blendi Fevziu: Aq më tepër që dialogu me Serbinë në këtë moment kërkon një konsensus përtej Vetëvendosjes…

Albin Kurti: Pa dyshim, por nëse shikoni votimet e zonjës Osmani për çështjet me Serbinë, përputhen pothuajse 100 % me Vetëvendosjen. Zonja Osmani e ka kundërshtuar madje dhe marrëveshjen Thaçi-Daçiç të 19 Prillit 2013, para 6 viteve gjysma e ka votuar. Prandaj kemi një shans shumë të mirë me të dhe gjithashtu unë besoj që qoftë Ministren e Punëve të Jashtme qoftë Kryeparlamentaren do ta kryente shumë mirë. Kjo është edhe vokacioni i saj nga përvoja parlamentare që kemi bashkë.