Aktualitet Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit çon në SPAK Elva Margaritin dhe 4...

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit çon në SPAK Elva Margaritin dhe 4 policë privatë

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka depozituar këtë të premte në SPAK një kallëzim për shpërdorim detyre ndaj ministres së Kulturës, Elva Margariti dhe 4 punonjësve të policisë private, ku akuzohen ndër të tjera për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv.

“Fillimin e ndjekjes penale për Elva Margariti, me funksion Ministre e Kulturës, për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, parashikuar nga neni 320 i Kodit Penal, dhe “Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”, parashikuar nga neni 320 gërma “a” e Kodit Penal, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 25 i Kodit Penal;

– Fillimin e ndjekjes penale për katër punonjësit e policisë Illyrian Guard sh.a (të paidentifikuar prej nesh), të cilët ishin në shërbim më datë 28.07.2021 ora 10.00 për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

–Fillimin e ndjekjes penale për Çdo person i pa identifikuar më sipër që me veprimet apo mosveprimet e veta, rezulton pas hetimit Tuaj që ka përgjegjësi ligjore penale në lidhje me mbylljen e dyerve të institucionit shtetëror Ministria e Kulturës dhe mos lejimin e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të depozitojë një kërkesë për ekzekutimin e vendimit Nr.29 datë 02.07.2021 të Gjykatës Kushtetuese, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, thuhet në objektin e padisë.

Në kallëzimin në SPAK, Aleanca shpreh edhe pakënaqësinë në lidhje me 8 kallëzimet e mëparshme lidhur direkt me çështjen e Teatrit si dhe me 4 kallëzime të tjera të lidhura indirekt me këtë çështje.