Kryesore Aleatët e PD: Duam të hyjmë në zgjedhje e 13 tetorit

Aleatët e PD: Duam të hyjmë në zgjedhje e 13 tetorit

Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Agrare Ambientaliste dhe Partia Republikane i kanë bërë një kërkesë zyrtare ditën e premte Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të nisë procedurat për 13 tetorin e dekretuar nga Ilir Meta për mbajtjen e zgjedhjeve vendore

.Vendimi, mësohet se është marrë mbrëmjen e së enjtes në mbledhjen që aleatët patën me kryetarin e Partisë Demokratike në selinë blu, ndërsa jo zyrtarisht zyra e shtypit të PD njoftoi se kryedemokrati u shpreh se KQZ e ka detyrim të pashmangshëm të përgatisë zgjedhjet e 13 tetorit.

Për Partinë Republikane dhe Agrare kanë firmosur kryetarët respektivë, Fatmir Mediu dhe Agron Duka, ndërsa për LSI nënshkrimi është i Sekretarit të Përgjithshëm Endrit Brahimllari dhe jo kryetares.

“Me datë 27.06.2019, Presidenti i Republikës caktoi si datë të re zgjedhjesh, datën 13 tetor 2019, dekret i cili është në fuqi dhe i pa kontestuar nga askush. KQZ në bazë të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe veçanërisht neneve 2, 10 dhe 21 e vijues të tij ka detyrimin ligjor që pas dekretimit të datës së zgjedhjeve të fillojë përgatitjet për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, thuhet në kërkesë.

Por pak pas dërgimit të kërkesës, KQZ nisi një njoftim për mediat, duke bërë të ditur se do të mblidhet të shtunën për të shqyrtuar këtë kërkesë.

Opozita njeh 13 tetorin si datë zgjedhjes dhe i kërkon KQZ të vihet në lëvizje që në bazë të kodit zgjedhor ditën e hënë partitë e opozitës sipas afateve te regjistrohen, në një proces që deri më sot njeh vetëm ajo dhe kryetari i shtetit. Me këtë lëvizje demokratët dhe aleatët e saj duket se po testojnë mazhorancën nëse do I hapë rrugë zgjedhjeve të 13 tetorit.