Sport Aleksandros Zaimi Dashi, një talent që premton shumë në futboll

Aleksandros Zaimi Dashi, një talent që premton shumë në futboll

Aleksandros Zaimi Dashi

Memaliaj, me të drejtë është quajtur “Djepi i futbollit” dhe “Brazili i vogël”, pasi ka nxjerr futbollistë të talentuar, jo vetëm nga ata që janë lindur dhe stërvitur në këtë qytet, por edhe të atyre futbollistëve, që rrjedhin me origjinë nga ky qytet!

Një prej atyre futbollistëve me origjinë memaliote, është edhe Aleksandros Zaimi Dashi, i lindur me prindër shqiptarë, më 27 janar të vitit 2011, në Athinë!

Greko-shqiptari, Aleksandros Zaimi Dashi, është vetëm 12-vjeç dhe në këtë kampionat (2020-2021) të grupmoshës së tij, ka shënuar 42 gola, në 24 ndeshje.

Ai e ka filluar futbollin në moshën 5-vjeçare me ekipin e “Paok”-ut dhe në moshën 7-vjeçare, filloi të luante me “Olimpiakos”-in deri në vitin 2020. Po këtë vit, kaloi me ekipin “Thunders Sport”, ku ka marr dy kupa: një kupë për moshën 11-vjeçare dhe një për grupmoshën 12-vjeçare, ku doli edhe golashënues.

Në këtë ekip, ku Aleksandros, stërvitet dhe luan, ka trajner ish-kapitenin për 6-vjet të ekipit të “Panionios”, Panagiotis Korbos, i cili ka drejtuar për 8-vjet si president edhe “Sindikatën e lojtarëve”.

Vitin që vjen (2023), tre nga futbollistët e këtij ekipi, ku një prej tyre është edhe  Aleksandër Zaimi Dashi, u përzgjodhën nga trajneri i tyre, për një turne në Spanjë, ku do të provohen në ekipet e këtij shteti.

Aleksandros, ka oferta edhe nga ekipe të Kategorisë së Parë të Greqisë. Ai luan në pozicionin e mesfushorit të majtë dhe në atë të sulmuesit të majtë.

Talenti i Aleksandros Zaimi Dashi nuk është rastësi, pasi rrjedh nga një familje me tradita në futboll. Babai i tij, Alsid Zaimi Dashi dhe gjyshi i tij, Medini, kanë luajtur futboll, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi.

Babai i tij, Alsidi, e ka filluar futbollin që në moshën 7-vjeçare dhe e ka mbyllur karrierën, pa dëshirën e tij, në moshën 32-vjeçrare, pasi u dëmtua dhe iu nënshtrua një operacioni në gjurin e këmbës së majtë. Në moshën 7-vjeçare, e filloi në Memaliaj me trajnerë, Prof. Viron Laska dhe ish futbollistin, Ferman Haska. Në moshën 9-vjeçare, largohet me familjen dhe vendoset në Athinë. Në moshën 16-vjeçare, rikthehet në Memaliaj dhe luan 6-muaj me ekipin e të rinjve “Memaliaj” dhe stërvitet gjithashtu edhe me ekipin e parë. E marrin prindërit në Athinë dhe deri në moshën 17-vjeçare, ka luajtur me ekipin, “Pigasos”, më pas me “Atla” dhe në Kategori të Tretë, me ekipin e “Athinaidha”.

Edhe gjyshi i tij, Medin Dashi, është një ndër veteranët e futbollit tepelenas, i cili njihet si një ndër ish portierët më të mirë të ekipit të futbollit, “Minatori”, duke filluar që nga ekipi legjendar i të rinjve, që luajti në Kategorinë e Parë, më pas me ekipin e parë të “Minatorit”, e deri tek ekipi i parë,“Memaliaj”.

Në mbyllje të këtij shkrimi të thjeshtë, i cili ka për qëllim të dokumentoj vlerat si futbollist, që në hapat e para të Aleksandros Zaimi Dashi, për ta mbështetur dhe frymëzuar atë, akoma më shumë, për të realizuar ëndrrat e tij!

Nisur nga talenti i tij, pasioni për t’u stërvitur e arritur qëllimet e tij në këtë sport nga më popullorët, besoj se një ditë, ai do të jetë një ndër emrat më të njohur të elitës së futbollit botëror!

Edmond Ismailati

Maj 2022.