Sport Alex Ferguson merr vendimin: Ky duhet të jetë trajneri i ardhshëm i...

Alex Ferguson merr vendimin: Ky duhet të jetë trajneri i ardhshëm i United

Ole Gunnar Solskjaer është personi i përshtatshëm për të drejtuar skuadrën e Manchester United. I këtij mendimi është ikona e skuadrës së United, ish-trajneri legjendar Sir Alex Ferguson, që këtë mendim ua ka shfaqur edhe drejtuesve të klubit. Sipas “Daily Mirror”, Ferguson i beson totalisht “nxënësit” të tij, duke i vënë “notën 10” gjatë dy muajve që norvegjezi është në krye të ekipit.

Ferguson ka mbetur i mahnitur nga loja e skuadrës së Manchester United nën drejtimin e Solskjaer, që e ka transformuar totalisht ekipin pas shkarkimit të Jose Mourinho. Ndaj norvegjezi e meriton konfirmimin në stolin e “Old Trafford”, duke kaluar nga pozicioni si “trajner i përkohshëm” në “trajner i përhershëm”.

E ardhmja e Solskjaer asnjëherë nuk ka qenë e sigurtë dhe kohët e fundit është përfolur se në garë për stolin e “djajve” janë edhe Mauricio Pochettino (trajneri i Tottenham) dhe Zinedine Zidane (aktualisht pa ekip). Gjithsesi, 11 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje në 13  ndeshje që Solskjaer ka në detyrën e trajnerit të United kanë bindur të gjithë. Përfshi edhe Ferguson, që ka dhënë aprovimin e tij që norvegjezi të vazhdojë këtë detyrë edhe sezonin e ardhshëm.