Politika Alfred Moisiu nderohet në Kavajë me titullin ‘Nderi i Qarkut’

Alfred Moisiu nderohet në Kavajë me titullin ‘Nderi i Qarkut’

Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu u nderua këtë të premte me titullin “Nderi i Qarkut” nga kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi.

“Në shenjë vlerësimi të lartë, për kontributin e çmuar në shoqërinë tonë duke qenë shembull frymëzimi për vlerat e qytetarisë, shtetit të së drejtës dhe shërbimi ndaj atdheut“, shkruhej në motivacionin që zoti Dalipi akordoi për nder të ish-presidentit.

“Roli i tij në historinë moderne të Shqipërisë është padyshim një shembull dhe inkurajim duke shtuar dhe kontributin i tij të çmuar gjatë luftës Antifashiste Nacional çlirimtare. Vendosmëria e tij për një shtet të së drejtës, por dhe për proceset integruese në aleancës euroatlantike janë dhe do të mbeten një vlerë e padiskutueshme” u shpreh Dalipi gjatë fjalës së tij.

I emocionuar nga ceremonia Presidenti Moisiu falënderoi kryetarin e Këshillit të Qarkut dhe ia dedikoi atë vlerësim familjes dhe miqve të cilët e mbështetën atë gjatë karrierës së tij të gjatë.

“Ata që nuk vlerësojnë kontributin e të parëve të tyre janë shkatërruesit e kombit të tyre. Dua ta falënderoj zotin Dalipi që po bën një punë të mirë për të vënë në vend dhe për të përkujtuar vlerat e atyre njerëzve që kanë kontribute” u shpreh zoti Moisiu.

Në këtë ceremoni nderimi morën pjesë zv.ministri i Mbrojtjes z.Petro Koçi, Shefi i Shtabit të Ushtrisë, gjeneral Bardhyl Kollçaku, Prefektja e Qarkut Tiranë znj. Suzana Jahollari, nënkryetari i bashkisë Tiranë z.Andi Seferi, kryetarët e bashkive të Qarkut, familjarë, miq, të afërm dhe dashamirës të z.Moisiu.

Në fjalën e mbajtur Prefektja e Tiranës znj.Jahollari shprehu mirënjohjen e saj të thellë për punën dhe kontributin e zotit Moisiu të palodhur ndër vite në detyrat e shumta dhe të rëndësishme veçanërisht në atë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë në vitet 2002-2007.