Aktualitet Alfred Peza: Si shpëtova nga vrasja kur më morën peng në ’97-ën

Alfred Peza: Si shpëtova nga vrasja kur më morën peng në ’97-ën

Deputeti Alfred Peza e quan të sajuar politikisht gjithë historinë që qarkullon në media në lidhje me pasurinë e tij.

Duke folur në Top Story, ai la të kuptohej se sulmi e ka burimin nga Partia Demokratike për të tërhequr vëmendjen nga hetimi i CEZ-it.

“Këto ditë ka një zhurmë të madhe të madhe përsëri me miliona, siç është hetimi për CEZ-in, ku një i afërm i Qeverisë Berisha ka tërhequr kesh para nga një bankë 7 milion euro”, tha ai.

Këtë sulm, ai e quajti “reciprocitet politik”.

Po përse vendosi të investojë këto para në 1 përqind aksione bankare?

“Unë jam shumë i fokusuar tek puna dhe më thith gjithë energjitë e mia fokusi ku vendosem dhe jam tip që mendoj që një njeri duhet të japë 100 përqindëshin e vet. Kam qenë i paaftë që të bëja njëkohësisht 2-3 punë dhe këto para t’i shndërroja në prona, dyqane, vila dhe në momentin e futjes në aksione ka qenë kur interesat e bankës shkuan deri në minus dhe të kesh 1 mln dollarë kesh dhe në fund të marrësh më pak?! Pikërisht këtu ishte momenti kur thashe se pse këto para të mos i çoj në një biznes shumë të nderuar dhe le të jenë aty në aksione duke patur parasysh që vlera e tyre rritet”, tha ai.

Si shpëtova nga vrasja kur më morën peng në ’97

Alfred Peza gjatë intervistat tregoi edhe historinë e vitit 1997, kur u mor peng në qytetin e Fierit ndërsa po shoqëronte një gazetar të “Corriere della Sera”, pas djegies së redaksisë së “Koha Jonë”.

“Isha i vrarë praktikisht, pasi më çuan në komisarit ka qenë një histori tmerri. Më kanë rrahur me shkopin gome, mbi 1 mijë goditje”, tregoi Peza.

Ai vazhdoi më tej, se pasi një ekip pushkatimi vunë kapuça dhe pastaj më futën pasaportën në xhaketë.

“Njëri prej tyre më tha se kur të të gjejnë të zbulojnë se cili je”, tha Peza.

Në momentin e rrëfimit të këtij momenti, Sokol Balla kujtoi se në atë kohë nisi të qarkullonte lajmi për vrasjen e Alfred Pezës.

Vetë deputeti më pas tregoi se ishte gazetari italian që shpëtoi jetën pasi e kthehu historinë e rrëmbimit të tij në çështje në Tiranë. “I falënderoj torturuesit e mi, që nuk më goditin në asnjë moment në kokë dhe në organet gjenitale. Nuk e di nëse ka qenë e programuar, por për këtë i kam falur”, përfundoi Peza.