Politika Ali Ahmeti: Duhet të kemi një president shqiptar në Maqedoni

Ali Ahmeti: Duhet të kemi një president shqiptar në Maqedoni

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se hapi tjetër pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës janë hapja e negociatave për anëtarësimin në BE dhe NATO. Në një intervistë për “Klan Maqedonia”, Ahmeti ka mohuar ekzistencën e fërkimeve në koalicionin qeverisës dhe ka shtuar se LSDM dhe BDI nuk janë larg akordit për një kandidat presidencial konsensual, që ka shanse të jetë shqiptar.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha se ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës edhe nga Parlamenti i Greqisë ka nxjerrë përfundimisht në horizont integrimin euro-atlantik të vendit. Kjo për shkak se, argumenton ai, parakusht për këtë ishte pikërisht zgjidhja e çështjes së emrit.

I pyetur për raportet në koalicionin qeverisës pas deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev se ka mosmarrëveshje, kreu i integristëve thotë se nuk e ndanë një vlerësim të tillë me të parin e qeverisë.

Ahmeti, duke folur për zgjedhjet presidenciale, ka ritheksuar qëndrimin e tij të njohur për një president konsensual dhe pohon se LSDM e BDI nuk janë larg përcaktimit të një kandidati të përbashkët, por thotë se ende është herët të flitet për emra konkretë.

“Ka nevojë vendi për të parin që ta ketë njeri që afron, që përbashkon dhe jo njeri që ndan. Unë mendoj që në përgjithësi partnerët e koalicionit janë të bindur në këtë koncept, si koncepti më i shëndetshëm për vendin”.

Në këtë rrafsh, kryetari i BDI-së ka komentuar edhe angazhimet e opozitës shqiptare që në këto zgjedhje të dilet me një kandidat shqiptar.

“Unë mendoj që tani kanë kaluar kohërat e spektakleve, të akrobacioneve dhe fushatave të bujshme me një vokabular ta quajmë të lartë, patriotik, e filozofik. Mendoj që sot duhet të jemi shumë më racionial, më shumë objektiv, në këto rrethana ku jetojmë. Të mos jemi emocionalë dhe të bëjmë zgjidhje të mira, praktika, të dobishme për qytetarët”.