Sport Allegri: E kam projektuar Juven e së ardhmes që para 6 muajsh

Allegri: E kam projektuar Juven e së ardhmes që para 6 muajsh

“Javën e ardhshme do të takohem me presidentin dhe do të bëjmë bilancin e këtij sezoni, si dhe do të përgatitemi për atë që do të vijë”. Këto janë fjalët e Allegrit, në një konferencë shtypi para ndeshjes Roma-Juventus. Trajneri bardhezi përmbys situatën e përvijuar nga zërat e medias, që shkruajnë për një divorc mes palëve. Madje, ai bën edhe shaka me gazetarët, kur thotë: “Gjërat që u thanë dhe u shkruajtën këtë javë më bëjnë të argëtohem. Ne e mbyllëm kampionatin një muaj më parë dhe do të flasim me presidentin për çdo gjë, siç kemi bërë çdo vit. Para ndeshjes me Ajax e kisha njoftuar presidentin Agnelli se do të qëndroja, tani na mbetet të takohemi dhe të flasim”.

I pyetur nëse ndihet keq për mjedisin e krijuar nga këto thashetheme, Max Allegri shton: “Unë jam mirënjohës ndaj stafit dhe klubit për punën që kemi bërë. Natyrisht, nuk mund t’iu pëlqej të gjithëve. Futbolli është i përbërë nga rezultatet dhe puna e përditshme. Në këto 5 vite kemi bërë një punë të mirë, gjë për të cilën jam i kënaqur”.

Allegri duket shumë i qetë në konferencë, pasi ka pranuar se javën e ardhshme do të ketë takimin e shumëpritur me presidentin Agnelli: “Unë e kam në mendje prej 6 muajsh se çfarë duhet të ndodhë, nëse ekipi duhet të rinovohet, por nuk po jua them. Ne flasim rregullisht me presidentin dhe mendojmë për gjërat teknike, që unë tashmë i kam qartësuar prej muajsh, jo sot. E kemi parashikuar takimin me Angelli para fundit të sezonit dhe do të flasim për gjithçka”.

Max Allegri e përfundon konferencën duke folur për marrëdhëniet me klubin dhe presidentin: “Me Agnelli kam një marrëdhënie të shkëlqyeshme, plot respekt të ndërsjellë dhe sinqeritet. Kjo është gjëja më e rëndësishme, për të arritur rezultate të mëdha”.