Sport Allegri: Ronaldo luan ndaj Romës, klasifikimi është fals!

Allegri: Ronaldo luan ndaj Romës, klasifikimi është fals!

Supersfida e javës në Serie A është Juventus-Roma. Kryeqytetasit edhe pse nuk po kalojnë një moment pozitiv do të tentojnë të ndalin hovin e bardhezinjve që edhe në këtë sfidë do të jenë me Cristiano Ronaldon në fushë që nga minuta e parë.

Trajneri i Juves, Massimiliano Allegri para ndeshjes ndaj Torinos deklaroi se në një nga 4 sfidat e ardhshme ylli portugez do të ulet në stol për të pushuar. Diçka e tillë megjithatë nuk ndodhi në derbin ndaj Torinos dhe nuk do të ndodhë as në duelin e kësaj të shtune ndaj Romës. Numri 1 i stoli të Juventusit foli edhe për sfidën ndaj Romës, të cilën e konsideroi një ndeshje të vështirë por që me forcë dhe vendosmëri skuadra e tij duhet ta fitojë. Allegri nuk i zë besë as pozicionit të Romës në renditje, duke shtuar se kjo aktualja është një renditje false dhe ajo e vërteta do të kuptohet në fund të fazës së parë.

Ronaldo

“Ronaldo luan, sepse mbeten edhe dy ndeshje për këtë vit. Njërën do ta luajë, tjetrën jo”.

Roma

“Roma është e vetmja skuadër italiane, e mbetur në Ligën e Kampionëve, bashkë me ne. Ndoshta nuk është në pozicionin e duhur në klasifikim, ka pasur vështirësi këtë sezon, jam dakord me këto. Por, edhe nesër do të jetë Juventus-Roma, një ndeshje e madhe. Pastaj, ne nuk mund të lejojmë nënvlerësimin e asnjë loje. Ky është një klasifikim i rremë, i vërteti do të jetë më 29 dhjetor, kur faza e parë do të përfundojë dhe do të bëhet vlerësimi i saktë”.

Juve në formë

“Djemtë kanë pasur një javë stërvitore të mirë. Ne menduam se kishin nevojë për dy ditë pushim, pas kaq shumë lojërash. Duhet ta nisim menjëherë në sulm këtë ndeshje, duke e ditur se Roma ka lojtarë, të cilët mund ta zgjidhin në mënyrë individuale lojën. Under është i rrezikshëm, Kluivert mjaft i shpejtë. Roma ka shumë lojtarë, që mund të na krijojnë problem, nëse nuk i qasemi me mënyrën e duhur. Ne kemi një javë të ngarkuar përpara, pastaj do të shkojmë pak kohë me pushime”.

Di Francesco

“Kolegu im te Roma ka cilësi, që nuk duhet të diskutohen. Një nga më të rinjtë, që bëri shumë mirë sezonin e kaluar. E dërgoi Romën në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa luftoi deri në fund për vendin e dytë në kampionat. Të gjithë trajnerët vihen në pikëpyetje, nëse nuk kanë rezultate, por ai ka kohë për të bërë një sezon të madh me Romën”.

Chiellini

“Ai është rritur shumë, jam duke e përsëritur këtë prej njëfarë kohe. E ka fuqizuar dhe qetësuar grupin. Pastaj, Juventusi ka edhe Bonucci, Benatia, Rugani…, ka një repart mbrojtës ndër më të mirët në Europë. Por, Giorgio ka më shumë përvojë dhe më shumë lojë në këmbë”.