Aktualitet Almeta: Bashkëpunimi, vlerë e kohës së sotme që Çermenika të ecë përpara

Almeta: Bashkëpunimi, vlerë e kohës së sotme që Çermenika të ecë përpara

Kryetari i shoqatës kulturore ”Çermenika 2017”, z. Behar Almeta, në një intervistë për gazetën “Zana e Çermenikës”, flet për premtimet e mbajtura të kësaj shoqate, objektivat dhe planet për të ardhmen. Almeta rrëfen për nismën më të fundit të shoqatës, atë të ndërtimit të rrugës së varrezave në fshatin Zdrajsh, si edhe zbulon sekretin e suksesit të shoqatës kulturore ”Çermenika 2017”. Sakaq, Almeta i përgjigjet pa komplekse dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë bashkëpunuese idesë se hedhur për bashkimin e dy shoqatave të Çermenikës.

Z. Almeta, ju keni ndërmarrë një nismë fisnike, atë të ndërtimit të rrugës së varrezave në fshatin Zdrajsh. Nga ju lindi kjo ide dhe si ecur punimet deri tani?

Kjo ide erdhi pasi shoqata kulturore “Çermenika 2017” rehabilitoi rrugën nga fshati Funarës në Fushë Gurrë, ku çermenikasit zhvillojnë çdo gusht festën e tyre.

Përveç anës shpirtërore, pasi ne në varreza kemi të afërmit tonë, kjo ide edhe për arsyen se këto varreza që janë ndërtuar në vitin e largët 1965 dhe që atëherë në këtë rrugë nuk është vënë kurrë dorë. Pra, për humanizëm ne ndërmorëm këtë nismë. Ne u bëmë thirrje të gjithë banorëve të fshatit Zdrajsh, por edhe atyre që janë larguar nga fshati, për të kontribuar sipas mundësive të tyre, dikush në mënyrë financiare dhe dikush në mënyrë vullnetare duke punuar për ndërtimin  e rrugës. Thirrjes i janë përgjigjur një pjesë e mirë zdrajshanëve. Një kontribut ka dhënë dega e shoqatës sonë në Selanik të Greqisë dhe gjej rastin t`i falënderoj emigrantët tanë që nuk e kanë harruar vendlindjen. Rruga është bërë me standarde, duke falënderuar disa kompani që kanë ardhur për të na ndihmuar. Tashmë është rruga është në fazën e saj finale dhe ftoj të gjithë banorët që ta shikojnë nga afër cilësinë e ndërtimeve dhe parametrat  e saj.

Ne ripërsërisim thirrjen për të gjithë ata që kanë dëshirë ta kontribuojnë në fazën finale të rrugës. Për këtë dua të jap dhe një shembull që më ka bërë përshtypje. Ne i bëmë një kërkesë kompanisë së sinjalistikës për një tabelë identifikuese dhe ata nuk e kërkuan pagesën, por na thanë që tabela është dhuratë për këtë nismë fisnike.

Për ndërtimin e kësaj rruge kemi lënë mënjanë punët tona në kompani dhe kudo, duke sakrifikuar edhe nga ana financiare.

Për ta mbyllur, doja të theksoja rëndësinë shpirtërore që ka kjo rrugë për ne. Po e nis nga vetja, babai ne na kanë lënë në moshën 53-vjeçare, tepër i ri, a nuk do të gëzohej ai nëse do të ishte gjallë, që djali i tij po ndërmerr këtë nismë, ashtu siç do të gëzohej çdo baba, nënë dhe të afmër për djemtë e tyre që kanë kontribouar për këtë rrugë. Pra, kjo mund të quhet edhe plotësim i një amaneti.

I falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontruibuojnë për këtë nismë filantropike.

Z. kryetar i shoqatës kulturore “Çermenika 2017”, ashtu si çdo vit, edhe këtë verë do të zhvillohet festa e Çermenikës. Por këtë herë shoqata ka njoftuar se festa nuk do të zhvillohet më 11 gusht, por më datë 18 gusht. Pse është marrë vendimi për ndryshimin e datës?

Kryesia e shoqatës sonë që është multifuksionale dhe për këtë arsye është e suksesshme pasi për ne kanë rëndësi të madhe edhe mendimet e anëtarëve të shoqatës.

Si fillim nuk duhet të ngatërrojmë festën e Çermenikës me festën e themelimit të batalionit partizan, pasi ne e vlerësojmë dhe repsketojmë Luftën Naciolçlirimtare të popullit tonë, edhe në shoqatë kemi pasardhës të dëshmorëve të atdheut. Për t’iu rikthyer pyetjes, festa e Çermenikës është për traditat e zonës sonë, kulturën e saj, promovim vlerash, panair, takim mes miqsh, etj.

Shoqata ka vendosur në statutin e saj që festa do të zhvillohej gjithmonë në të dielën e dytë të muajit gusht. Por, këtë vit, kjo datë binte me festën e Kurban Bajramit. Në këtë mënyrë në vlerësim të besimtarëve myslimanë që atë ta festojnë këtë festë pranë familjeve të tyre, kryesia e shoqatës vendosi ta shtynte festën e Çermenikës më datë 18 gusht. Kështu që iu bëj thirrje të gjithëve çermaniksave që të vijnë të festojmë së bashku për të kaluar një ditë të këndshme.

Z. Almeta, mund të na bëni një përmbledhje të aktiviteteve që ka organizuar shoqata kulturore “Çermenika 2017” gjatë këtij viti…

Shoqata kulturore “Çermenika 2017” jo vetëm që i ka plotësuar objektivat që i kishte vënë vetes, por edhe i ka tejkaluar ato dhe une për këtë jam i kënaqur. Pasi kemi treguar se jemi shumë funksionalë, duke i dhënë nga një shembull të gjitëve. Dhe suksesi nuk është i një personi, por i të gjithëve ne, pasi kemi treguar që të bashkuar mund të nxjerrim sërish nga errësira Çermenikën, për t`i treguar kombit vlerat e mëdha kulturore dhe jo vetëm që ka zona jonë.  Mund të sjellë në vëmendje organizimin e festës së Ditës së Verës që ka lindur pikërisht në Çermenikë, por që shumë shqiptarë nuk ia dinin origjinën, ndërsa tashmë po. Ne kemi vendosur që festa e Ditës së Verës që zhvillohet më 14 mars të organizohet çdo vit në një fshat të ndryshëm të Çermenikës, deri tani është zhvilluar në fshatin Funarës dhe në Zdrajsh.

Po jo vetëm kaq. Ne kemi dhënë edhe kontribute humanitare, ku mund të përmend shkurt dhuraten e librave dhe të disa kompjuterëve për shkollën dhe fëmijët në fhstain Neshtë, por edhe ndihma për familjet më të varfra më të zonës, si dhënie ushqimesh, lidhe energjie elektrike, dhënie ndihmash të ndryshme, etj.

Ndërkohë, dua të nënvizoj organizmin e konferencës “Arianitët në Librazhd”, që ishte një ndër ngjarjet shkencore më interesante të organizuara gjatë vitit 2018 në kuadrin e veprimtarive të “Vitit mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, shpallur nga qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar.

Shoqata Kultorore “Çermenika 2017” që ishte organizatore kryesore e kësaj konference falënderon institucionet që bashkëpunuan si Bashkia e Librazhdit dhe Akademia e Studimeve Albanologjike. Një falenderim i veçantë i shkon z. Avni Alcani, që ishte autor i kësaj iniciative dhe që ndoqi hap pas hapi realizimin deri në fund të saj.

Në ndryshim nga shoqatat homologe, shoqata kulturore “Çermenika 2017” është tepër aktive në fushë fusha, nga vjen kjo energji?

Pyetja juaj është interesante! Pse ne kemi sukses? Nga bashkëpunimi i të gjithëve. Nuk do kishim kaq sukses nëse nuk do kishim mbështetjen te të gjithë çermenikasve, duke nisur që nga nënkryetarët, Fatmir Gjeçi, Bashkim Isaku, Balluk Troka. Nuk do kishim kaq sukses pa mbështetjen e koordinatorëve, Gazmir Alcani, Vehbi Xherri, Qani Kaca, Hysen Balliu. Balliu meriton një përmendje të veçantë, pasi ka qenë në terren gjithmonë për cdo aktivitet të shoqatës, duke vënë në dispozicion gjithçka të vetën, që nga organizimi i festës në Fushë Gurrë, Ditën e Verës e deri tek ndjekja nga afër e ndërtimit të rrugës së varrezave në fshatin Zdrajsh, etj.

Si mos të përmend mbështetjen e kryetarëve të degëve si Ruzhdi Murtini në Durrës, Qani Kaca në Lushnjë, Ismet Alcani në Lezhë, Veli Albrahimi në Fushë Krujë, Lulzim Azballa në Librazhd, Arben Shera në Tiranë, Sokol Gjypi, e kështu me radhë.

Dua të falënderoj kryeredaktorin e gazetës “Zana e Çermekiës”, zotin Qazim Shehun për kontributin e tij, bashkëpunëtorët e gazetës, Mahir Hyka, Ilmi Leka, Ferit Toma, familjen Bashmili, Shpëtim Bashmili dhe Gëzime Sinani që bëjnë gjithçka falas për gazetën.

Një falënderim edhe për kryetarin e Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurrën për bashkëpunimin. Duke qëndruar te pushteti lokal, një falënderim special edhe për kryetarin e Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, për ndihmën që dha për organizimin e festës së degës së shoqatës në Lushnjë.

Në fund, doja të falënderoja edhe shoqatën homologe “Martaneshi” e drejtuar nga zoti Skënder Gjoni për vlerësimin që i kanë bërë shoqatës sonë. Me ftesë të tyre kemi marrë pjesë për herë të dytë në festën e Ballenjës, ku na ka pritur Baba Mondi, kryegjyshi botëror i bektashinjve botërore. Baba Mondi ka pranuar edhe ftesën tonë për të ardhur në festën e Fushë Gurrës.

Z. Almeta, ashtu siç dihet Çermenika ka tashmë dy shoqata. Shumë njerëz ngrejnë pyetjen a nuk do ishte më mirë që shoqatat të bashkoheshin në të një të vetme.

Për mendimin tim, kjo është pyetja më e rëndësishme, me delikate, por që unë do i përgjigjem pa komplekse, në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Është e vërtetë që Çermenika ka dy shoqata, dhe nuk është mëkat janë që dy të tilla. Nuk po i rikthehem edhe njëherë debatit sepse janë dy të tilla. Ne e falënderojmë shoqatën tjetër për objektivat që ka arritur.

Dua të dal te pjesa kryesore, bashkimi. Me propozimin e kryebashkiakut të Librazhit, Kastriot Gurra, si edhe të nënprefektit Enver Koçi, ne i jemi përgjigjur pozitivisht kërkesës për bashkim. Pse mos të bashkojmë idetë, programet, nismat?!.

Ku ka ngecur bashkëpunimi?! Atëherë unë po jap për herë të parë një deklaratë, në emër të çdo anëtari të shoqatës ne jemi të hapur për bashkëpunim, në çdo ditë, në cdo orë që do kërkojë shoqata tjetër ne jemi të gatshëm të nisim bisedimet. Por me një kusht, që gjithçka të bëhët sipas parimeve demokratike, me anë të zgjedhjeve.

Dora jonë për bashkëpunim është e shtrirë, vetëm Çermenika të ecë para.