Opinione Alternativë politike apo “e keqja me e vogël”

Alternativë politike apo “e keqja me e vogël”

Nga Erion Muça

Vendi ka kaluar prej pak kohësh në përshtjellime politike të tensionuara, ku opozita pas lënies së mandateve po ndërmerr manifestime politike të vazhdueshme me mospajtimin absolut ndaj qeverisjes aktuale. Manifestimet politike janë shoqëruar edhe me përplasje midis policisë dhe protestuesve të shoqëruara me episode dhune e ku policia ndaj disa akteve vandale, i është kunderpergjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë. Pas lënies së mandateve dhe daljes nga duart e situatës nga ana e opozitës, në momentin e pranimit të mandatit nga ana e kandidatëve të paslistës, opozita thuajse po përqëndron tezat e saj publike bazuar në këtë të papritur. Kauza e opozitës po lidhet me mosrespektimin e vendimit politik të partisë dhe organeve vendimarrëse nga ana e tyre duke marrë masë përjashtuese nga partia të këtyre kandidatëve.

Ky akt, i cili për rrethanat dhe kontekstin politik në fakt nuk krijon aspak ngërç ligjor të funksionimit të parlamentit por vetëm akt politik. Në këtë tablo të përkthyer thjeshtë paraqiten hap pas hapi përfaqësues europiane të cilët haptazi denoncojnë dhunën në protesta dhe nuk pajtohen me vendimin e opozitës për lënien e mandateve duke krijuar edhe një konfuzion qëndrimesh publike të përfaqësuesve të opozitës, të cilët kanë reaguar ashpërsisht kundër tyre duke i cilësuar madje të ardhura nga individë të influencuar nga përfaqësues të maxhorancës.

Përshkrimi në pak rrjeshta tregon situatën aspak pozitive ku është futur vendi politikisht, krizë e cila duhet të ulë palët në një dakordësi, pasi nëse asnjëra palë nuk leshon hapesire diskutimi atëherë vendi mund të rrezikojë edhe përplasjet e dhunshme në dëm të prespektivës dhe prosperitetit. Megjithatë opozita shqiptare ende po vuan nga mospasja e autoritetit të lidershipit si dhe më rëndë akoma nga mungesa e strategjive inteligjente, kreative, profesionale dhe shumë të imta, të cilat do të përqëndronin të gjithë axhendën e opozitës, në aspektet më të rëndësishme të nevojave dhe domosdoshmërive të vendit duke i kërkuar ato me garancinë dhe epërsinë e duhur përballë pozitës.

Opozita shqiptare në vend të jetë dhe përbëjë alternativë politike dita-ditës po kthehet në një relike në duart e të paaftëve dhe qokaxhinjve duke humbur jo vetëm shkëlqimin e dikurshëm si e para parti opozitare demokratike në pluralizëm por edhe të qenit një opsion dinjitoz për zgjedhësit përballë qeverisjes aktuale. Opozita ende nuk është në pozitën dhe ende ska prestigjin e duhur për të qenë gati të qeverisë madje po duket se është e kundërta, nuk të jep asnjë sinjal se mund ta kryeje si duhet nesër qeverisjen e vendit.
Opozita nuk frymëzon më pasi më tepër po banalizon sjelljen e saj duke ndërmarrë praktika angazhimesh dhe sipërmarrjesh politike në thelb shumë diletante dhe fëminore e të pakoordinuara, të cilat afrojnë në manifestime vetëm militantë dhe pak njerëz të zakonshëm dhe qytetarë të papërfaqësuar e të dëmtuar të këtij vendi. Opozita në duart e liderve aktuale është katandisur në gjendjen me të keqe të kёtyre 30 viteve duke humbur dita-ditës imazh dhe peshё pёrfaqёsimi elektoral por më tepër mundёsinë e të qenit nesёr një forcё qeverisёse.

Arsyet e katandisjes të opozitёs i gjejmё në çdo veprim, ku më i rëndi lënia e mandateve, akt i cili e bën opozitën të marrë statusin e viktimës duke hequr dorë nga përfaqësimi i popullit me justifikimin se është akti final për detyrimin e qeverisë të ulet në marreveshje. Realisht, nga pikëpamja e politikës serioze ky arsyetim cilësohet si varfëri vizioni e strategjish të sofistikuara nga ana e opozitës ku në vend të kundërsulmojë dorëzohet. A është dorëzimi fitore? Në parim dhe figurativisht në asnjë rrethanë nuk përbën fitore pasi strategjia më efikase e çdo sulmi është kundёrsulmi i fuqishёm dhe ndёrtimi i infrastrukturës inteligjente poltike për arritjen e një kapitali mё të lartё politik sesa braktisja e çdo gjëje. Por kush do ti bëjë? A mundet opozita ti bëjë? Lindin pyetjet.

Në të njëjtën kohë një strategji profesionale do të parashikonte çdo detaj të pasojave të një veprimi siç solli lënia e mandateve, gjë që nuk ndodhi me këtë aksion pasi kandidatët e pas listës e pranuan mandatin, çka në vetvete tregon se lidershipi aktual i opozitës perveçse nuk tregon më besim, potencë dhe superioritet. Ai nuk arrin as të menaxhojë anëtarët e partisë, vendimet dhe veprimet e të cilëve kanë dalë jashtë kontrollit të opozitës. Opozita detyron dhe kushtëzon në kohën kur, si dikur me liderit e dikurshëm duhet të frymëzojë. Opozita aktuale po ndërmerr iniciativa me revansh dhe retorikë të fortë politike, gjuhë e cila ishte rezultative para shumë e shumë vitesh, kur mungonte stabilizimi dhe kur qytetarët forcën e gjuhës së përdorur e përceptonin si gatishmëri dhe autoritet të lartë për qeverisje. Praktikisht kjo kohë ka mbaruar pasi sot qytetarët kanë rritur filtrat dhe përzgjedhin duke analizuar dhe nuk i bashkohen iniciativave politike të vjetëruara të cilat ja shpërfillin inteligjencën dhe intelektin e tyre duke i trajtuar ende si dele.

Liderët e opozitës prej kohësh nuk e kanë matur peshën, influencën dhe ndikimin që kanë brenda vetes dhe partisë që drejtojnë e më pas të jenë gati ta bëjnë këtë veprim para elektoratit. Ata kanë rrëmbyer lidershipin duke stabilizuar klientelizmin brenda partive me bazë lidhjet farefisnore dhe shoqërore e duke përjashtuar shumë figura historike, të cilët nën preteksin e ndryshimeve dhe rigjenerimit të partive me figura të reja, i kanë dërguar ato në kuotimin dhe mbështetjen më të ulët që kanë patur ndonjëherë. Nëse diçka s`ndryshon në drejtimin e partive të opozitës, ato rrezikojnë seriozisht edhe ekzistencën e tyre si parti parlamentare e po ashtu përfaqësimin serioz të opozitës shqiptare.

Në këtë vorbull problematikash dhe mungese menaxhimi dhe keqorganizimi të brendshem qe ka opozita shqiptare si dhe mos ngritjen e saj në stadin, standartin dhe integritetin e një alternative politike për zgjedhësit, zhvillohet dhe rritet ndjeshëm autokracia e pushtetit aktual qeverisës të vendit, që ndër të tjera lind e buron nga paaftësia e opozitës për të përbërë një drejtim të qëndrueshëm politik.

Maxhoranca qeverisëse aktuale po përfiton më shumë nga mungesa e opozitës dhe rolit të duhur e konstruktiv të saj sesa duke qeverisur vendin. Maxhoranca qeverisëse pavarësisht punëve të realizuara ka plot problematika që lidhen me shumë hallka të qeverisjes. Maxhoranca qeverisëse aktuale pak nga pak po sillet si “pronare” e qytetarëve e vendit të saj. Ajo po vendos për çdo gjë dhe mbi çdo gjë, pa konsultim ose me konsultime fasadë, kur gjërat janë vendosur e paracaktuar më parë. Maxhoranca aktuale po sillet publikisht si e gatshme për të votuar reformën në drejtësi dhe trumpeton paanësinë politike të procesit por paralelisht po ndikon për të patur serish privilegje dhe preferencë kandidatësh në organet e reja drejtuese të drejtësisë duke e zbehur kësisoj edhe popmozitetin me të cilin po e promovon këtë gatishmëri.

Drejtimi i institucioneve aktuale po drejtohet nga njerëz anonimë, jashtë terrenit dhe mentalitetit shqiptar, që ose jetojne në pjesën ideale të të njohurit të Shqipërisë, ose bien viktima të burokracive dhe kalbëzimit të sistemit të administratës publike. Një pjesë e mirë e tyre janë të katapultuar dhe zgjatime të lobimeve ndërkombëtare dhe ruajnë interesa të caktuara zhvillimi prioritetesh në Shqipëri. Maxhoranca qeverisëse aktuale ka bërë shumë pak për përmirësimin e cilësisë së hapësirave të punësimit të të rinjve të diplomuar brenda profilit të tyre të shkollimit dhe ndikon shumë pak në tregun e punësimit të sektorit privat të pasistemuar e ende pa rregulla me bazë meritokracinë në punësim dhe promovim. Maxhoranca aktuale po bën pak ose aspak për mbështetjen e shtresave në nevojë duke rritur përkrahjen sociale në tillë përqindje sa nuk mbulon asgjë, e ku vetë totali i përkrahjes nuk mbulon as 20% të shpenzimit mujor për një jetesë normale.

Rritja e pensioneve këto vitet e fundit nuk ka qenë më i lartë se 5-6 përqind e duke marrë për përllogaritje një pension mesatar kjo rritje është inekzistente përballë rritjen e inflacionit. Jemi vendi me pagën minimale dhe mesatare më të ulët në rajon, e ku kostoja e përballimit të jetesës sa vjen e rritet nga rritja e taksave dhe detyrimeve të tjera, të cilat e shpëfillin në poltikat e hartuara, nivelin mesatar të të ardhurave dhe përherë vijnë në dispropocion me të. Maxhoranca ka ndërtuar një sistem të centralizuar për qeverisjen e vendit duke ndërtuar një strategji prioritesh të investimeve dhe i ka ndare ato në pak njerëz të fuzishëm ekonomikisht në vend, të cilët do të zbatojnë pjesën më të konsiderueshme të tyre duke krijuar një precedent të rrezikshëm oligopolistik të dëmshëm për liberalizimin e tregut. Maxhoranca qeverisëse është bërë simbol i ngritjes së një strukture të pashembullt drejtimi partiak dhe qeverisës.

Si rrallëherë në ndonjë vend me demokraci të shëndetshme, funksionarë të lartë të drejtimit në institucione të rëndësishme të vendit janë paralelisht të disa punësuar në një serë komisionesh, bordesh, këshillash etj. Ky element në të vërtetë forcon menaxhimin e brendshëm politik të institucioneve por formon një model të rrezikshëm të përqëndrimit të pushtetit në duart e pak njerëzve duke penguar edhe demokratizimin e proceseve të brendshme me karakter vendimarrës për drejtimin modern të institucioneve të vendit. Maxhoranca aktuale po punon fort me promovimin e vetes në shumë platforma por edhe shumë mjete por pavarësisht të gjithave nuk po arrin dot të transformojë totalisht realitetin e prekshëm që hasim në përditshmërinë tonë që për hir të së vërtetës nuk ka as ngjyrat dhe as larminë me të cilën na prezantohet.

Si përfundim, bazë e të gjithë angazhimit të të dyja palëve janë e duhet të jenë 2 prioritete të jashtëzakonshme për nga rëndësia: mirëqenia e vendit dhe integrimi europian. Përpara këtyre 2 prioriteteve çdo lloj objektivi, interesi, prioriteti, dhe qëllimi tjetër i secilit krah politik, do të duhet të zhduket nga axhendat e tyre politike. Sinkronizimi i axhendave të pozitës dhe opozitës në favor e dobi të interesit të qytetarëve mbi gjërat që duan më fort, do të përbënin programin më të qëndrueshëm, afatgjatë dhe të suksesshëm të të gjitha kohërave. Nëse ky akt ndërgjegjësimi i një rëndësie të veçantë nuk ndodh sa më shpejt, atëherë do të mbetemi pa një alternativë efikase politike përpara çdo zgjedhjeje, ku në të cilat për inerci, do të zgjedhim me rotacion, në varësi të këndvështrimit, traditës dhe interesave të momentit, të keqen më të vogël.