Aktualitet Ambasada amerikane këshillon shtetasit amerikanë në Shqipëri: Rikthehuni në SHBA

Ambasada amerikane këshillon shtetasit amerikanë në Shqipëri: Rikthehuni në SHBA

Ambasada Amerikane në Tiranë u kërkon të gjithë shtetasve amerikanë që të largohen menjëherë nga Shqipëria në drejtim të SHBA, përveçse në rastet kur janë të përgatitur për një qëndrim të gjatë në vendin tonë.

“Ambasada Amerikane u kërkon të gjithë shtetasve të rregullojnë menjëherë një fluturim për t’u rikthyer në SHBA, përveçse në rastet kur janë të përgatitur për të qëndruar në Shqipëri për një periudhë të pakufizuar kohore. Të gjithë kufijtë tokësorë janë mbyllur dhe aktualisht ka vetëm një fluturim ditor që niset nga Shqipëria përmes “Air Albania”, thuhet në njoftim.

SHBA i referohet linjës Tiranë-Stamboll dhe anasjelltas që është e vetmja linjë e hapur që fluturon nga Rinasi. Ambasada amerikane deklaron se me të mbërritur në Stamboll, shtetasit amerikanë mund të marrin një fluturim direkt për në SHBA.

Udhëzimi nuk lidhet vetëm me Shqipërinë. Kërkesa të ngjashme janë lëshuar nga përfaqësitë diplomatike të SHBA edhe në vende të tjera të Europës, ku ka mbyllje kufijsh dhe kufizime drastike të lëvizjeve për shkak të pandemisë së koronavirusit.