Aktualitet Ambasada amerikane uron 28 hetuesit e përzgjedhur për BKH-në

Ambasada amerikane uron 28 hetuesit e përzgjedhur për BKH-në

Ambasada amerikane ka uruar 28 kandidatët e parë të përzgjedhur për Byronë Kombëtare të Hetimit. Në një postim në rrjetet sociale, ambasada amerikane thotë se SHBA-ja do ta mbështesë SPAK-un dhe ata që i përgjigjen thirrjes së detyrës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në emër të popullit shqiptar.

“Urime dhe fat të mbarë burrave dhe grave që përfunduan me sukses procesin rigoroz të aplikimit dhe tani do të fillojnë trajnimin për Byronë Kombëtare të Hetimit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin SPAK-un dhe ata që i përgjigjen thirrjes së detyrës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në emër të popullit shqiptar. Presim së shpejti një thirrje tjetër për hetues të BKH-së, për të forcuar më tej këtë institucion të ri”, thuhet në reagim.

Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës mbylli më 1 Prill verifikimin e kushteve të sigurisë për kandidatët që konkurrojnë për “Hetues” në Byronë Kombëtare të Hetimit. Bëhet fjalë për 28 kandidatë, të cilët do t’i nënshtrohen trajnimit me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohen.

Verifikimi i kushteve të sigurisë u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit të Pavarur të Rishikimit, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri.

Në ditët në vijim do të hapet dhe procesi i rekrutimit për 32 pozicionet “Hetues” të pa plotësuara. Njoftimi për hapjen e procesit të rekrutimit do të bëhet në website -in e BKH-së.