Kryesore Ambasada e SHBA dënon dhunën në protestë: I papranueshëm sulmi ndaj policisë

Ambasada e SHBA dënon dhunën në protestë: I papranueshëm sulmi ndaj policisë

Ambasada amerikane në Tiranë ka dënuar dhunën që ndodhi sonte gjatë protestës së opozitës. Ambasada thekson se sulmi ndaj policisë është i papranueshëm dhe jodemokratik.

“Ambasada e SHBA dënon dhunën që ndodhi gjatë protestës sonte. Grumbullimi paqësor dhe e drejta për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë janë shtylla të demokracive të shëndosha, por janë të drejta që duhen ushtruar paqësisht.

Përdorimi i mjeteve piroteknike, sidomos kur vënë në shënjestër policinë, nuk është akt paqësor, është i papranueshëm dhe jodemokratik.

Iu bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve të protestës të ndalojnë aktet e dhunshme dhe të angazhohen në dialog konstruktiv”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri ka reaguar pas dhunës në protestën e sotme. Në një reagim, ambasada shprehet se nuk ka vend për dhunë ose mjete shpërthyese në protestë.

“Mbretëria e Bashkuar mbështet protestat paqësore. Nuk ka vend për dhunë ose mjete shpërthyese në protesta paqësore. Liderët kanë përgjegjësi të ruajnë sigurinë dhe policia ka përgjegjësi të përgjigjet në mënyrë proporcionale për të ruajtur rendin publik. Për të mirën e çdo kujt duhet të jetë prioritet një protestë paqësore dhe e sigurt”, thuhet në reagimin e ambasadës.