Kryesore Ambasadat dalin me të njëjtin qëndrim para protestës

Ambasadat dalin me të njëjtin qëndrim para protestës

Po t’i hedhësh një sy gjithë deklaratave të ambasadave të vendeve të huaja në vendin tonë vë re se të gjitha mbajnë të njëjtin qëndrim duke dënuar dhunën e përdorur në protestën e 11 majit.

Thirrja e tyre u drejtohet më së shumti udhëheqësve të opozitës dhe më së pakti policisë.

Deklaratë e Ambasadës së Italisë mbi protestat në Shqipëri:

E drejta për të protestuar është tipar thelbësor i një demokracie të shëndetshme, por protestat duhet të mbeten paqësore.

Gjatë protestës së dhunshme të 11 majit pati të lënduar në radhët e policisë dhe të protestuesve, si dhe u dëmtuan disa godina publike.

Ambasada italiane në Tiranë u bën thirrje udhëheqësve të opozitës që të dënojnë dhunën dhe të garantojnë që protestat e ardhshme të jenë paqësore dhe të qëndrojnë brenda kornizave ligjore. I kërkon gjithashtu forcave të rendit të tregojnë vetëpërmbajtje.

Ambasada e Italisë dënon pa rezervë kanosjet ndaj Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, veprime të papranueshme në një demokraci.

Së fundmi, Ambasada italiane u kërkon të gjitha palëve të fillojnë dialogun si mënyra e vetme për të zgjidhur krizën aktuale politike dhe për të mbështetur rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë.

Deklaratë e Ambasadës britanike mbi protestat në Shqipëri:

E drejta për të protestuar është përbërës themelor i një demokracie të shëndetshme. Por protestat duhet të jenë paqësore. Ne dënojmë dhunën që u zhvillua gjatë protestës së 11 majit nga e cila u plagosën si policë dhe protestues dhe shkaktoi dëme në pronë.
Ne u kërkojmë liderëve të opozitës të dënojnë dhunën dhe të sigurojnë që protestat që ata mbajnë të jenë paqësore dhe të mbahen në përputhje me ligjin.
Ne gjithashtu kërkojmë që policia të tregojë përmbajtje dhe të respektojë sundimin e ligjit që ata mbështesin. Ne dënojmë me gjithë zemër intimidimin e ambasadorit të OSBE-së dhe dëmet e shkaktuara në rezidencën e tij zyrtare. Nuk ka vend për veprime të tillë në një demokraci moderne.
Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të hyjnë në dialog, e cila është mënyra e vetme në të cilën ngërçi tanishëm mund të zgjidhet. Dhuna dhe retorika nuk janë përgjigje.

Deklaratë e Ambasadës gjermane mbi protestat në Shqipëri:

Demonstratat paqësore janë një e drejtë themelore e rëndësishme në demokraci. Shfaqje të dhunës, sikurse ishin ato që pamë në datën 11.05., janë tërësisht të papranueshme dhe të papajtueshme me këtë parim. Për këtë arsye ne dënojmë maksimalisht dhunën e çdo lloji. Veçanërisht na shqetëson fakti, që drejtuesi i Prezencës së OSBE në Shqipëri është kërcënuar. Ndaj u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës Basha dhe Kryemadhi të dënojnë të gjitha format e dhunës ndaj njerëzve dhe institucioneve dhe t’i parandalojnë ato në mënyrë efektive. Si organizatorë ata mbajnë përgjegjësi për zhvillimin paqësor të demonstratave. Në të njëjtën kohë apelojmë forcat shqiptare të sigurisë të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë konsekuente, me maturi dhe në proporcion me situatën.
Protestat në rrugë nuk zëvendësojnë dialogun e domosdoshëm politik! Ndaj u bëjmë thirrje të gjitha palëve, që në funksion të përafrimit të mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Evropian kundërshtitë në qëndrime t‘i zgjidhin në kuadër të një dialogu politik konstruktiv.

Deklaratë e Ambasadës amerikane mbi protestat në Shqipëri:

Protestat paqësore janë thelbësore për demokraci të shëndetshme dhe e drejta e qytetarëve për t’u mbledhur dhe për të protestuar kundër qeverisë së tyre është themelore. Megjithatë, forca dhe dhuna nuk kanë vend në një proces demokratik. Ne dënojmë dhunën e pranishme gjatë protestave të 11 majit në Tiranë dhe përgjegjësit e saj. Dhuna çoi në plagosje dhe dëmtime të pronës, përfshirë edhe dëmtim të vendbanimit së Ambasadorit të OSBE-së. Këto veprime të dhunshme ishin të paligjshme dhe jodemokratike. Ne iu bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës, veçanërisht Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, që të dënojnë publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të qeta dhe paqësore. Edhe autoritetet ligjzbatuese kanë përgjegjësi për të vepruar me vetëpërmbajtje, përfshirë edhe rastet kur iu përgjigjen provokimeve. Protestat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike dhe perspektivën e vendit për të bërë përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të zmbrapsen nga përplasjet dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv, që synon t’i japë fund ngërçit politik.