Aktualitet Ambasadori shqiptar në Kinë: Familjarët t’u blejnë bileta kthimi njerëzve të tyre

Ambasadori shqiptar në Kinë: Familjarët t’u blejnë bileta kthimi njerëzve të tyre

Ministria e Jashtme e Kinës ka mbledhur ambasadorët e akredituar në Pekin, për t’i informuar mbi situatën pas shpërthimit të epidemisë së koronavirusit në Wuhan. Duke informuar mbi këtë takim, ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja u shpreh se Ministria e Jashtme kineze nuk dha ndonjë përcaktim mbi perspektivën e afërt dhe ecurinë e kurbës së të prekurve.

Mes të tjerash, Belortaja, përmes një postimi në Facebook, u ka bërë thirrje familjarëve të personave që ndodhen në Kinë që t’u presin biletat atyre, pasi ambasada nuk i mbulon dot këto shpenzime.

“I bëj thirrje familjeve të atyre që kanë ndarë mendjen të kthehen, të mos hezitojnë por të sakrifikojnë edhe kësaj here për një biletë udhëtimi të njeriut të tyre. Ambasada nuk e ka mundësinë të paguajë, ndërsa as MPJ kineze nuk ofroi gjë për financim lëvizjesh”, shkruan Belortaja në rrjetin social.

Postimi i plotë:

“Sot, për të parën herë qysh nga shpërthimi i epidemisë në Wuhan, MPJ e RP Kinës informoi zyrtarisht krerët e trupit diplomatik. Situata vazhdon e nderë, u theksua mobilizimi i jashtëzakonshëm, transparenca dhe bashkëpunimi me OBSH, por pa ndonjë përcaktim mbi perspektivën e afërt dhe ecurinë e kurbës së të prekurve. Na u kërkua ruajtje e qetësisë, evitim i çdo paniku që do të ishte siç u shpreh raportuesi “më dëmprurës se sa vetë virusi”, si dhe besim! U referuan përballje të ngjashme (SARS ne 2003 dhe pastaj epidemi e pandemi te tjera si H5N1, Ebola, etj) nga të cilat Kina ka fituar përvojë dhe do bëjë çmos ta fitojë edhe këtë betejë. Na u njoftuan linjat e komunikimit emergjent në MPJ (për komunikim prej nesh) dhe në vatrën e virusit Hubei (027 -86122256 dhe 027 -87811173). Ndërkohë ende virusi nuk dëshmohet plotësisht i kontrollueshëm dhe i trajtueshëm përderisa shifrat vazhdojnë ngjitjen.

Thuajse të gjitha provincat kanë raportuar raste dhe në shumicën prej tyre është shpallur gjendja e emergjencës së shkallës së parë. Ndërkohë, përveç Kinës dhe disa vendeve të Azisë, virusi tashmë është shfaqur edhe në kontinente të tjera, përfshirë edhe Europën.

Asnjë i infektuar mes rreth 400 shqiptarëve që ndodhen këtu prej të cilëve 60 studentë. Por zhvillimet na sugjerojmë te përsërisim thirrjen për kujdes, shmangie udhëtimesh dhe respektim të udhëzimeve e rregullave.

Kemi vetëm një studente në Wuhan të cilën po bëjmë çdo përpjekje ta nxjerrim, sadoqë kjo kërkon disa procedura lejesh dhe aplikimesh dhe rregulla karantine 14 ditore -edhe pse nga testi fillestar ajo doli ok! 3 të tjerët, në dijeninë tonë janë larguar nga Wuhani dhe kanë mbërritur ose po mbërrijnë në atdhe!

I kemi ftuar gjithë shqiptarët që studiojnë, punojnë ose thjesht ndodhen në Kinë, të identifikohen në e-mailin e ambasadës dhe të raportojnë gjendjen dhe adresën. Ndjekim situatën dhe i raportojmë MEPJ.

I bëj thirrje familjeve të atyre që kanë ndarë mendjen të kthehen, të mos hezitojnë, por të sakrifikojnë edhe kësaj here për një biletë udhëtimi të njeriut të tyre. Ambasada nuk e ka mundësinë të paguajë, ndërsa as MPJ kineze nuk ofroi gjë për financim lëvizjesh. Uroj dhe besoj fort në një shëndet të pacënuar të bashkëkombasve tanë dhe i uroj Kinës fitore të shpejtë të kësaj beteje!