Politika Ambasadorja e re e SHBA/ Yuri Kim zyrtarisht në Tiranë më 30...

Ambasadorja e re e SHBA/ Yuri Kim zyrtarisht në Tiranë më 30 janar

Ambasadorja e re e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, do mbërrijë në Tiranë në datën 30 janar, ku do ketë dhe pritjen e parë. Kim mbërrin në 30 janar dhe sipas një njoftimi të Ambasadës amerikane, kërkohet që diplomates së re ti bëhet një pritje sa më miqësore.

“Në pritje të mbërritjes së ambasadores amerikane Yuri Kim, me mirësi “ruajeni datën” për një pritje sa më mirëseardhëse, të enjten, 30 janar në 17:30. Ftesat do të dërgohen me email në ditët në vijim”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.

Ajo ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.