Kryesore Ambasadorja franceze: Qytetarët meritojnë një zgjidhje

Ambasadorja franceze: Qytetarët meritojnë një zgjidhje

Ambasadorja franceze në Shqipëri Christine Vasac ka folur nga Korça për situatën politike në vend. Ajo deklaroi se duhet një zgjidhje për krizën pasi atë nuk mund ta zgjidhin diplomatët e huaj.
Sa i përket qëndrimit të Francës dhe Holandës për çeljen e negociatave, Vasac tha se deri në tetor mund të ndodhin shumë gjëra.

Për situatën e nxehtë politike, ajo tha se është imazhi i të nxehtit që po kalon e gjithë Europa.

“Për politikën shqiptare asnjëherë nuk themi asnjëherë. Nuk mund ta fsheh, të gjithë e dimë që situata është e tillë jemi në një krize politike, nuk kam asnjë dyshim që në të gjitha anët dhe nivelet ka njerëz të arsyeshëm që janë duke kërkuar një zgjidhje. Ju e dini mire që nuk është një diplomat i huaj që t’i japë një zgjidhje kësaj situate, por njerëzit e këtij vendi meritojnë një zgjidhje të arsyeshme”, deklaroi ambasadorja franceze.

E pyetur nëse është kaq e përgjegjshme klasa politike shqiptare për të arritur në ketë zgjidhje, ambasadorja Vasac iu përgjigj: “Edhe njëherë nuk më takon mua të prononcohem për këtë temë, ashtu siç mund ta dini para 3 ditësh ka pasur një telefonatë midis presidentit Macron dhe zotit Rama. Kjo është diçka e mirë, pozitive, unë nuk mund të them diçka me detaje sepse nuk isha gjatë kësaj bisede por e vlerësoj”, tha ajo.

Për sa i përket procesit të integrimit në BE të Shqipërisë, Vasac tha se dhe vete populli shqiptar duhet të jetë i qartë nëse është gati për Bashkimin Europian.
“Politika gjithashtu, të gjithë njerëzit, ju po më drejtoni pyetjen mbi qëndrimin e Holandës dhe Gjermanisë nuk di t’u them por edhe me Francën nuk di t’u them diçka, por nuk është diçka e mbyllur. Nuk ka diçka të mbyllur sepse ka ende kohë deri në muajin tetor dhe mund të ndodhin shumë gjëra deri në tetor”, tha ambasadorja franceze.

Ajo theksoi se Shqipëria ashtu si dhe vendet e tjera në rajon kanë vendin e tyre në Bashkimin Europian.
Pyetjes figurative a do digjet Shqipëria si Notre Dame, Vasac iu pergjigj: “Ashtu si Fenixi ne rilindim nga hiri dhe në lidhje me Shqipërinë, Shqipëria nuk është duke u djegur”.

Këto deklarata ambasadorja Franceze i dha gjatë ekspozitës nga fotografi Roland Tasho me titull “Notre-Dame, një vështrim fotografik” gjatë mbrëmjes së të premtes në pedonalen e qytetit.