Aktualitet Ambasadorja Kim: Largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar është vetëm fillimi

Ambasadorja Kim: Largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar është vetëm fillimi

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka deklaruar se largimi apo arrestimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve të korruptuar është vetëm fillimi.

“Shqipëria ka arritur sukseset e vërteta në vitin 2021 që nga largimi i gjyqtarëve të korruptuar deri tek dënimi i prokurorëve në nivele të larta, përfshirë një ish-prokuror të përgjithshëm, deri tek arrestimi i politikanëve, policëve. Ky është vetëm fillimi, ne po shohim një epokë të re ku sistemi t’i shërbejë qytetarëve të tij dhe jo vetëm të fuqishme, të pasurve dhe kriminelëve”, deklaroi ambasadorja gjatë një takimi me donatorët ku ishte i pranishëm ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Ambasadorja tha se pavarësisht këtyre sukseseve të arritura me vështirësi, Shqipëria është rrugë kyçe e trafikut të drogës dhe trafikut të njerëzve. Sipas saj një rol të rëndësishëm në të gjithë këtë luan korrupsioni.

Ajo nënvizoi se e vetmja mënyrë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe ekstremizmin e dhunshëm, është duke pasur institucione të pavarura që mbështesin sundimin e ligjit.

“Grupet shqiptare të krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë paratë këtu dhe të kontribuojnë në korrupsion. Krimi i dhunshëm shpesh lidhet me krimin e organizuar dhe prokurorë, gjykatës, policë e gazetarë shpeshherë kanë qenë të kërcënuar”, tha ndër të tjera ambasadorja.

Ndërsa ambasadori, Luigi Soreca deklaroi se Bashkimi Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit krimeve mjedisore, si dhe në menaxhimi e migracionit.

“Në të njëjtën kohë, administrata shqiptare duhet të sigurojë llogaridhënie dhe transparencë për investimin e rëndësishëm financiar të BE-së dhe duhet ta ndjekë këtë si objektivin kryesor të aktiviteteve të saj të planifikimit dhe programimit”, tha ai.