Politika Ambasadorja Kim takohet me të riun nga Tropoja që i ngatërroi origjinën...

Ambasadorja Kim takohet me të riun nga Tropoja që i ngatërroi origjinën në Instagram

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim ka zhvilluar dje një takim me të riun nga Tropoja që disa ditë më parë i komentoi në profilin e saj në Instagram mbi shtetësinë.

“Javën e kaluar, Fisart Imeraj bëri një koment mbi “miqësinë shqiptaro-kineze” që më bëri konfuze. Kështu që e ftova për kafe. Ai pranoi. Sot, u ulëm në një  ambient të hapur me diel dhe porositëm një kafe shumë të mirë dhe biseduam rreth komentit, por edhe shumë gjëra të tjera”, shprehet znj. Kim.

Ambasadorja Kim thotë se me të riun ka biseduar për origjinën e tyre, duke thënë se Fisarti ishte nga Tropoja, vend me të cilin ra në dashuri kur e vizitoi muajin e kaluar.

Nga ana tjetër, diplomatja thotë se stërgjyshërit e saj e kanë origjinën nga zonat malore në Kore, por vetë ajo është rritur në një ishull tropikal.

“Mësova pak më shumë për të kaluarën e Shqipërisë dhe si Fisart më tregoi se si Enver Hoxha dhe komunistët u përpoqën që të kontrollin çdo gjë – financat, besimin, strehimin, punësimin – por ata nuk mund të kontrollonin kurrë shpirtin e njerëzve.

Gjithashtu folëm edhe për sfidat me të cilat përballen rregullisht shqiptarët dhe ramë dakord që sundimi i ligjit dhe barazia para ligjit janë të nevojshme për të gjithë shqiptarët, jo vetëm elita mund të ketë punë dinjitoze, të kujdesen për familjet e tyre dhe të kontribuojnë plotësisht për të ardhmen e vendit të tyre.

E gjitha kjo nisi nga një koment që nisi si një shaka e pafajshme, por që bëri të mundur një bisedë (dhe një miqësi shqiptaro-amerikane) që shpresoj të vazhdojë. Faleminderit, Fisart!”, përfundon ambasadorja amerikane.