Bota “Amerika do të udhëheqë botën”, Biden: Mandati im, jo një mandat i...

“Amerika do të udhëheqë botën”, Biden: Mandati im, jo një mandat i tretë i Obamës

Presidenti i zgjedhur Joe Biden deklaroi se SHBA është “gati të udhëheqë botën, jo të tërhiqet prej saj”, duke sinjalizuar një kthesë të fortë nga strategjia “Amerika në plan të parë” e ndjekur nga Presidenti Trump gjatë katër vjetëve të fundit.

“Mandati im nuk do të jetë një mandat i tretë i Obamës.” Kështu u shpreh Joe Biden, në intervistën e parë televizive si president i zgjedhur i SHBA-së. Ai siguroi që administrata e tij jo vetëm që do të përfaqësojë një moment ndryshimi rrënjësor në krahasim me 4 vitet e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, por gjithashtu do të jetë një pikë kthese krahasuar me 8 vitet që kaloi si nënkryetar përkrah mikut të tij Barack Obama.

“Sot Shtetet e Bashkuara po përballen me një botë krejtësisht të ndryshme”, shpjegoi ai, duke iu referuar mbi të gjitha krizës së shkaktuar nga pandemia e Covid-19.

Amerika do të udhëheqë botën

“Amerika është kthyer dhe është e gatshme për të udhëhequr botën, jo të tërhiqet prej saj”, tha ai kur prezantoi ekipin e tij të ardhshëm.

Duke theksuar se “Amerika e Para nënkuptonte një Amerikë të lënë vetëm”, ​​Biden hapet për kundërshtarët politikë dhe për vetë Donald Trump.

Në rastin e parë ai konfirmon se nuk është kundër hipotezës së një republikani që bashkohet me ekipin e tij qeveritar dhe më pas siguron se ai kurrë nuk do të përdorë Departamentin e Drejtësisë “si një mjet personal” për të hetuar dhe ndëshkuar Trump: “Këtë do ta bënte ai, “shtoi Biden.

Nën administratën e Presidentit Trump, SHBA shpesh u gjend në pozita jo të përputhshme me aleatët tradicionalë perëndimorë, ndërkohë që Trump dukej se preferonte një qëndrim më të butë ndaj udhëheqësve autokratë si Presidenti rus Putin, Presidenti turk Erdogan dhe udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong Un.

Biden tha: “Amerika udhëheq jo vetëm me fuqinë e saj, por me fuqinë e shembullit të saj”.

Ai tha se zyrtarët që ka zgjedhur “jo vetëm që do të ndreqin, por do t’i japin formë të re politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare për brezin e ardhshëm. Ata do të më thonë atë që është e nevojshme të di, jo ato që dua të di unë”.

Politika e jashtme amerikane nën administratën Biden ka të ngjarë të përqendrohet në një qasje shumëpalëshe dhe diplomatike që synon të riparojë marrëdhëniet e Uashingtonit me aleatët kryesorë dhe të ndjekë rrugë të reja për çështje të tilla si ndryshimi i klimës.

Biden tha se ishte befasuar nga telefonatat me udhëheqësit botërorë për faktin “se sa me padurim po presin ata që Shtetet e Bashkuara të afirmojnë rolin e tyre historik si udhëheqës global kudo në Paqësor, Atlantik dhe në të gjithë botën.”

Tranzicioni

Biden konfirmoi se nuk kishte folur ende me presidentin, por shtoi se nuk priste që fillimi i mandatit të tij të ndikohej nga vonesa në fillimin e tranzicionit.

Gati tri javë pas zgjedhjeve presidenciale, Trump ra dakord të lejojë procesin zyrtar të tranzicionit të hënën. Por ai ende nuk pranon humbjen, duke përsëritur pretendimet e pabazuara se votimi i 3 nëntorit ishte “i manipuluar”.