Bota Amerika në festë për dënimin i ish-policit që vrau George Floyd: Biden:...

Amerika në festë për dënimin i ish-policit që vrau George Floyd: Biden: Tani të bashkohemi

Është një moment vendimtar në histori. Një polic i bardhë dënohet për vrasjen e një personi me ngjyrë.

Sheshet e qyteteve kryesore amerikane shpërthyen në festë, ndërsa qytetarët pritën mes lotësh vendimin e një gjykatë për të shpallur fajtor një ish-polic, për vrasjen e afro-amerikanit George Floyd në Mineapolis, vitin e kaluar.

Derek Chavin, i cili u filmua teksa për 9 minuta, i mbante gjurin mbi qafë George Floyd para se të vdiste i asfiksuar gjatë arrestimit në muajin maj, u shpall fajtor për tre akuza dhe rrezikon nga 10 deri në 40 vite burg.

Juria me gjashtë anëtarë të bardhë dhe gjashtë anëtarë me ngjyrë, e mori vendimin të martën pasi diskutoi rreth 10 orë gjatë dy ditëve mes ankthit se mund të kishte një shpërthim tjetër trazirash.

Turma e mbledhur para gjykatës shpërtheu në brohorima, ndërsa në rrugë dëgjoheshin boritë e makinave. Festa shpërtheu edhe në sheshin George Floyd në Mineapolis, kryqëzimi ku u vra Floyd.

Dënimi i Chauvin i jep fund një gjyqi 3-javor, i cili u kthye në fokusin e lëvizjes kombëtare për drejtësi racore.

Reagon Biden

Në një reagim presidenti amerikan, Joe Biden, e cilësoi këtë si moment të një ndryshimi thelbësore në SHBA.

Ai kërkoi që amerikanët të bashkohen për të luftuar racizmin që “korrupton” shpirtin. “Ka ardhur koha që ky vend të bashkohet”, tha Biden në një fjalim të shkurtër nga Shtëpia e Bardhë.

“Disa agjitatorë dhe ekstremistë që tallen me drejtësinë shoqërore do të përpiqen të shfrytëzojnë emocione të papërpunuara”, paralajmëroi ai. “Ne nuk mund t’i lejojmë ta bëjnë atë.”

Kurrë mos harroni episodin tragjik

“Shpallja fajtor e oficerit Chauvin nuk do ta kthejë George-n përsëri”, tha ai, duke shtuar se vendimi mund të jetë një moment i “ndryshimit të rëndësishëm”. Ai u bëri thirrje amerikanëve që kurrë të mos e harrojnë këtë episod tragjik.

“Ne duhet të dëgjojmë: ‘Nuk mund të marr frymë, nuk mund të marr frymë’: këto ishin fjalët e fundit të George Floyd. Ne nuk mund t’i lëmë të vdesin me të. Ne kemi nevojë t’i dëgjojmë ato fjalë gjatë gjithë kohës”, tha ai në fund.

“Ne jemi të lehtësuar të gjithë”, i tha Biden familjes Floyd në një telefonatë. “Ju jeni një familje e mahnitshme. Do të më pëlqente të isha atje për t’iu përqafuar.”

“Sot shënohet Dita e Drejtësisë e Amerikës”, shtoi Kamala Harris, zv.presidente e SHBA.

Barak Obama gjithashtu e mirëpriti verdiktin

Ish-Presidenti i SHBA Barack Obama dhe gruaja e tij Michelle e mirëpritën vendimin.

“Sot, juria bëri gjënë e duhur. Por drejtësia e vërtetë kërkon shumë më tepër”, tha Barack Obama.

Ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton është bashkuar me ta.

“Familja dhe komuniteti i George Floyd meritonte që vrasësi i tij të përgjigjej. Ata e morën atë përgjegjësi sot. Gjithmonë dhe përgjithmonë, jeta e zezë është e rëndësishme”, tha Hillary Clinton.

Guvernatori i Minesotës Tim Walz tregon se sa i rëndësishëm është ky vendim.

“Vendimi është një hap i rëndësishëm përpara për drejtësinë në Minesota. Gjyqi ka mbaruar, por puna jonë sapo ka filluar. Më 25 maj, 2020, bota shikoi George Floyd duke vdekur për gati nëntë minuta me gju në qafë. Mijëra banorë të Minesotës marshuan nëpër rrugë pas vdekjes së tij verën e kaluar – duke frymëzuar lëvizjen nëpër botë, edhe pse shumë nga këta njerëz nuk e takuan kurrë George-in. Ata e dinin se çfarë kishte ndodhur. Ata bënë thirrje për ndryshim dhe kërkuan drejtësi”, tha Walz.