Bota Amerikanët i lënë vendin turqve në Siri, rritet frika për konflikt me...

Amerikanët i lënë vendin turqve në Siri, rritet frika për konflikt me kurdët

Shtëpia e Bardhë i ka dhënë dritën jeshile ofensivës turke në veri të Sirisë, duke larguar trupat amerikane nga zona, në një ndryshim të beftë qëndrimi që do të ndikojë ndjeshëm te partnerët e hershëm të Uashingtonit atje, kurdët.

Këta të fundit kanë qenë në krye të fushatës luftarake kundër militantëve të Shtetit Islamik, por vendimi i marrë pas telefonatës mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut turk Recep Tayyip Erdogan të dielën, ia kalon Turqisë përgjegjësinë e kapjes së luftëtarëve të ISIS. Gjatë telefonatës u miratua paraprakisht edhe një vizitë e liderit turk në Shtëpinë e Bardhë muajin e ardhshëm.

Por vendimi ka bërë që të rritet frika në rajon për një përplasje mes ushtrisë turke dhe forcave kurde, tani që SHBA nuk do të shërbejë më si ndërmjetës mes dy palëve. Trupat amerikanë nisën tërheqjen që të hënën në mëngjes, duke lënë pikat kyçe  në qytezat Ras al-Ayn dhe Tal Abyad në kufi. Zëdhënësi i forcave Demokratike Siriane akuzoi amerikanët se me largimin e tyre po lejonin që rajoni të shndërrohej në një zonë lufte.